Flamurtari në “ajër” për kapitenin, vonesat për trajnerin shqetësojnë edhe tifozët
Flamurtari “në ajër” për të ardhmen e kapitenit të skuadrës. Denis Pjeshka ende nuk ka vendosur për rinovimin e kontratës dhe qëndrimin në Vlorë për sezonin e ri, 2025-2026, kur kuqezinjtë do të luajnë në Kategorinë Superiore pas një mungese 5-vjeçare.

Klubi kërkon që ta mbajë, për vetë faktin se shkodrani ka qëndruar stoik dhe besnik i skuadrës në momente të vështira, siç ishte edhe rënia në Kategorinë e Dytë. Pjeshka erdhi në Vlorë për herë të parë në sezonin 2019-2020. Një sezon u zhvendos te Vllaznia, në shtëpinë e tij. Nga shtatori i vitit 2021 e deri në fund të sezonit 2024-2025, për 4 vite rresht, nuk u shkëput asnjë moment nga Flamurtari duke ndarë momentet më të errëta të historisë së klubit, por edhe gëzimin e rikthimit në Superiore, që e festoi si kapiten. Karrierën e nisi te Vllaznia me moshat dhe më pas me skuadrën e parë dhe prej andej u zhvendos te Laçi. Por qëndrimin më të gjatë e ka në Vlorë dhe shkodrani 30-0vjeçar është bërë “puro lab”. “Panorama Sport” mëson se Denis Pjeshka do të jetë këtë fundjavë në Vlorë. Për momentin, nuk ka një akord mes klubit dhe kapitenit. Fillimisht, palët do të ulen në tryezë për të diskutuar për çështjet e kontratës dhe detajet financiare.
LARGOHET ATANDA
Flamurtari i sezonit të ri mbetet ende i paformatuar dhe që nga 20 prilli kur mbaroi kampionati dhe deri më sot, në kampin vlonjat flitet vetëm për largime. Një tjetër firo nga Flamurtari. Largohet edhe mbrojtësi nigerian, Sodiq Atanda. 31-vjeçari nuk do të jetë më pjesë e vlonjatëve të sapongjitur në Superiore. Ai ishte një njohës i kampionatit shqiptar, pasi ka qenë pjesë edhe e Apolonisë, Partizanit, Egnatias, Erzenit dhe së fundmi te Flamurtari. Një aventurë e ka pasur edhe te Prishtina, si dhe në Izrael e Arabi, pa harruar fillesat në Nigeri. Te Flamurtari luajti një sezon të plotë, por nuk arriti të shfaqte si duhet vlerat e veta, edhe për shkak të dëmtimeve. Atanda e bëri publik largimin përmes një postimi në rrjetet sociale. “Nuk jam më lojtar i Flamurtarit. Falënderoj presidentin, stafin si dhe shokët e ekipit. Një falënderim për shokët e ekipit. Jeni të mrekullueshëm”, shkruan Atanda.
Vonesat për trajnerin shqetësojnë edhe tifozët
Flamurtari shikohet si një klub me buxhet maksimal dhe të paparë ndonjëherë më parë në Superiore, por prej javësh vlonjatët kanë ngecur te përzgjedhja e trajnerit të ri. Fillimisht u tha se ekipi do t’i besohej Artim Pollozhanit edhe në elitë, por duke ditur që ai nuk kishte eksperiencën e duhur, administratori Idrizi ndryshoi mendje. Prej gati një muaji, në kampin vlonjat lakohen vetëm emra kandidatësh, ku sapo afrohet njëri, largohet tjetri e me radhë. Nuk kanë munguar edhe emrat pompozë nga bordi drejtues, por kur ka mbetur thuajse dy muaj nga starti i sezonit të ri, pankina kuqezi mbetet bosh. Padyshim kjo situatë e krijuar me çështjen e trajnerit, e ka rritur ankthin dhe shqetësimin në radhët e tifozëve të Flamurtarit. Gjithsesi, ky ngërç shpresohet të zgjidhet brenda kësaj jave dhe ekipi të nisë punën
5 sezone mbylli Flamurtari larg Superiores. Për herë të fundit, vlonjatët milituan në elitën e futbollit në sezonin 2019-2020. Edicioni i ri i gjen vlonjatët në elitë dhe me objektiva madhorë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













