Flamurtari ka marrë premio të majme, Memushi: 9 pikë deri në fund, jemi më mirë se Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 14:13

Flamurtari ka marrë premio të majme, Memushi: 9 pikë deri në fund, jemi më mirë se Partizani

Eqerem Memushi mendon se Flamurtari në dy ndeshjet e fundit ka ndryshuar. Ish trajneri kuqezi, shprehet se skuadra është shprehur shumë mirë. Për “Panorama Sport”, Memushi thekson se skuadra nuk ka se çfarë të humbasë. Sipas ish trajnerit kjo skuadër është më e karrikuar se kurrë.

memushii

“Ne e kemi thënë edhe më përpara që nuk kemi çfarë të humbasim më. Skuadra në fakt është përgjigjur shumë mirë. Në këto dy ndeshjet e fundit kemi parë një Flamurtar krejt ndryshe, një Flamurtar më të karrikuar. Mbase kjo ka ardhur edhe nga vetë presidenca. Drejtuesit dhe në veçanti presidenti Idrizi i ka qëndruar shumë pranë ekipit. Ata mundësitë financiare i kanë pasur, kushtet shumë të mira në stadium. Gjithçka aty është perfekte. Në atë stadium ke qejf të shkosh dhe të shikosh një ndeshje, është një nga më të mirët. Është koha që futbollistët ti shpërblejnë të gjitha këto të mira. Por e vërtetë është që skuadra po ndryshon, unë uroj që ta mbajnë këtë ritëm dhe të bëjmë maksimumin deri në fund”, shprehet fillimisht Memushi.

ZBULON PREMIOT – Eqerem Memushi ndeshjet me Egnatian në tranfertë dhe me Dinamon në Vlorë i ka ndjekur përkrahë presidentit Sinan Idrizi. Ai thotë se Idrizi ka qënduar pranë skuadrës. Ish trajneri zbulon edhe superpremiot, 10 mijë euro me Egnatian dhe 20 mijë euro me Dinamon.

“Unë kam qenë afër në këto dy takime dhe i kam ndjekur me presidentin Sinan Idrizi. Ai ka qenë shumë i gatshëm që qysh në momentin që ka mbaruar ndeshja ka rënë bilbili, kanë mbaruar 90 minutat, menjëherë ka shkuar tek dhomat e zhveshjes për karrikuar lojtarrët. 10 mijë euro premio me Egnatian, 20 mijë euro premio në ndeshjen e dytë dhe do të vijojë deri në fund. Kjo është ajo që e mban skuadrën edhe në tonus. Por mua më duket se skuadra ka arritur ritmin që duhet, na vjen keq që e arriti tani, pasi ne e donim më përpara por dallohet shumë ndryshimi”, thotë ish trajneri.

ME PARTIZANIN – Eqerem Memushi e shikon më të favorizuar Flamurtarin në ndeshjen me Partizanin. Sipas ish trajnerit në tri ndeshjet e mbetura duhen 9 pikë për të arritur objektivin.

“Na duhen tri pikët, nuk kemi rrugë tjetër. Duhet që deri në fund të shkojmë me pikë të plota. Po ashtu duhet që të shikojmë ndeshjet tona. Ne jemi në moral më të lartë se Partizani. Ata vijnë nga pesë humbje. Jemi të favorizuar. Duhet të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje në transfertë. Nuk ka më asnjë rrugë tjetër apo tolerim. Duhet të marrim vetëm fitoren”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL