Flamurtari i jep 48 orë afat Trashit pas përjashtimit, ish-kapitenit i prish punë edhe ekipi që nuk… ekziston
Flamurtari ka publikuar vendimin ku përjashton zyrtarisht dhe përkohësisht Lorenc Trashin. Vendimi u mor nga klubi vlonjat sot, ndërsa vjen pas ndeshjes së humbur 2 me 1 në Ballsh.

Për Trashin është dhënë një afat prej 48 orësh, ku duhet të paraqesë shpjegime me shkrim. Ata më pas do të merren në konsideratë, për vendimin përfundimtar mbi masën disiplinore.
Ndërkohë bie në sy se gjatë kësaj kohe, Trashi duhet të ndjekë program të veçantë: “Gjatë periudhës së pezullimit, Lojtari do të ndjekë stërvitje sipas programit të përcaktuar nga Klubi (përfshirë trajnimin me skuadrën B dhe/ose stërvitje individuale), do të paraqitet në të gjitha aktivitetet e planifikuara dhe në çdo kontroll mjekësor të kërkuar nga Klubi.
Mosparaqitja ose moszbatimi i programit do të trajtohet si shkelje e mëtejshme kontraktore”.
Fakt është se Flamurtari nuk ka një ekip B të regjistruar. Trashi do të mbetet pa minuta për këtë arsye, ndërsa duhet të stërvitet individualisht.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













