“Finale” për Egnatian, nuk lejohen hapa fals ndaj Dinamos. Formacionet e mundshme për sfidën në “Air Albania”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2026 | 12:11

“Finale” për Egnatian, nuk lejohen hapa fals ndaj Dinamos. Formacionet e mundshme për sfidën në “Air Albania”

Egnatia zbret sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ku përballë do të ketë Dinamon. Për skuadrën rrogozhinase nuk ka më vend për llogari apo gabime: objektivi është i vetëm dhe i qartë, marrja e tri pikëve. Çdo rezultat tjetër përveç fitores do të zbehte ndjeshëm shpresat për mbrojtjen e titullit dhe për të qëndruar në garë deri në “Final 4”. Aktualisht, Egnatia ndodhet tetë pikë larg kryesuesve të Elbasanit, një diferencë që në këtë fazë të kampionatit konsiderohet e konsiderueshme.

dinamo-egnatia

Me javët që pakësohen dhe me rivalët që nuk falin terren lehtë, çdo hap fals mund të rezultojë vendimtar. Barazimi apo humbja në këtë përballje do të përktheheshin praktikisht në një distancim edhe më të madh nga kreu dhe, në terma matematikorë, në një hap drejt dorëzimit të titullit. Për këtë arsye, presioni mbi kampionët në fuqi është maksimal dhe çdo detaj merr rëndësi të veçantë. Përballë një Dinamoje që kërkon po ashtu rezultat pozitiv, ndeshja pritet të jetë e fortë dhe e luftuar në çdo repart.

Megjithatë, Egnatia nuk ka luksin të menaxhojë apo të luajë për një pikë. Skuadra duhet të shfaqë personalitet, agresivitet në lojë dhe efikasitet para portës për të siguruar një fitore që vlen më shumë se tri pikë në këtë moment të sezonit. Trajneri Edlir Tetova ka theksuar rëndësinë e kësaj përballjeje, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe mentalitet fitues nga lojtarët e tij. Kampionët në fuqi janë përballë një prove karakteri: ose të rikthehen fuqishëm në garë, ose të rrezikojnë të dalin përfundimisht nga skena e titullit.

VËMENDJA TE RIVALËT – Paralelisht me sfidën e saj, Egnatia do të ndjekë me interes edhe rezultatet e kundërshtarëve direkt. Elbasani dhe Vllaznia do të përballen respektivisht me Vorën dhe Bylis, sfida që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen e përgjithshme. Një ndalesë e këtyre ekipeve, e kombinuar me një fitore të rrogozhinasve, do të rihapte menjëherë garën dhe do të rikthente presionin mbi rivalët, duke e bërë fundin e sezonit edhe më të paparashikueshëm. Në kampin e Egnatias besojnë se skuadra ka cilësinë dhe eksperiencën për të reaguar në momentin e duhur.

Screenshot 2026-05-02 120831

Daja bën ndryshime, mungesa me rëndësi te “nëndetësja”

Dinamo do të presë sot në “Air Albania” skuadrën e Egnatias, në një përballje shumë delikate për vendin e katërt. Për Dinamon, fitorja ka rëndësi të madhe për një vend në “Final 4”, ndërkohë që nga ana tjetër, Egnatia e ka siguruar matematikisht dhe synon të ruajë hapin e kryesuesve. Blutë kanë mungesa të shumta në këtë takim dhe Daja do të duhet të bëjë pa Teikseirën i cili nuk është në 100% e tij, si edhe pa Lorran e Mustafan të dëmtuar. Për kartonë, mungojnë edhe Lorenco Vila dhe Bruno Dita. Rikthim i rëndësishëm padyshim që është ai i Berishës, por me shumë gjasa do të jetë në stol në takimin ndaj Egnatias, për të nisur nga stoli këtë takim. Kështu, në portë pritet Teqja, i ndihmuar në krahë nga Neziri e Ismaili. Në qendër, pritet Aliji dhe Beqja. Sa i përket mesfushës, pritet të ketë vend për Qefalinë, Qardakun dhe Malomon, ndërkohë që Bregu, Nani dhe Guindo do të ndihmojnë në repartin e sulmit.

Screenshot 2026-05-02 120943

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL