“Finale” mbijetese, Tomori ka frikë vetëm nga arbitrat, Dule: Duam drejtësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2019 | 11:06

“Finale” mbijetese, Tomori ka frikë vetëm nga arbitrat, Dule: Duam drejtësi

Trajneri i Tomorit, Santiliano Dule, ka folur për “Panorama Sport” një ditë përpara ndeshjes së rëndësishme me Elbasanin. Tekniku beratas ka injoruar verdheblutë, duke thënë se skuadra e tij ka një nivel shumë herë më të lartë se kundërshtari në fjalë. Dule flet hapur dhe “pa dorashka” sa i takon pjesës së gjykimit, teksa thotë se një arbitër profesionist nuk duhet të lërë “gjurmë” negative në sfida të tillë.

santiliano dule

Dule, nesër(sot) do të luani ndaj Elbasanit, një ndeshjen direkte për mbijetesë. Si e keni vlerësuar kundërshtarin dhe çfarë pritet të merrni në këtë transfertë?

Faktikisht, skuadrës sonë i mungojnë pikët në  tabelën e klasifikimit, por jo kualiteti, pasi për kualitet jemi shumë herë më larët se kundërshtari. Kushtet apo rrethanat na detyruan që ne të jemi në këtë pozicion që jemi. U ngarkuam më shumë nga faktorët e jashtëm sesa të brendshëm, pasi po të shohësh statistikat, kemi shkuar shumë mirë përgjatë periudhës që unë kam marrë drejtimin e Tomorit. Rezulton që deri më tani skuadra nuk regjistron asnjë humbje në fushën e blertë. Ndodhemi në këto “ujëra”, për shkak të rrethanave që tashmë i dinë të gjithë dhe nuk na ngelet gjë tjetër veçse të pajtohemi me realitetin dhe ta nxjerrim Tomorin nga meseleja e padrejtësive që iu bënë.

Kujt i druheni më shumë në këtë përballje?

Jam mësuar të flas hapur dhe të jem i drejtpërdrejtë me opinionin sportiv. Unë, apo ne si klub, i druhemi vetëm një gjykimi jokorrekt dhe të njëanshëm. Besojmë dhe shpresojmë që gjykimi në këtë ndeshje të ketë lartësinë e duhur dhe mos të ndikojë në rezultatin e njërës apo tjetrës skuadër. Një arbitër i mirë dhe profesionist nuk duhet të duket fare në fushë. (Në këtë rast, me gabimet e tij). Të mos bëhet faktor negativ dhe të jetë sa më korrekt në një ndeshje të rëndësishme si kjo, e cila kushton një edicion të gjithë futbollistik. Uroj që FSHF-ja të vendosë arbitrin e duhur dhe ai të jetë koshient që ekipet sakrifikojnë dhe luftojnë për të qenë në Kategorinë e Parë.

Ka mungesa në kontingjentin tuaj për këtë ndeshje për shkak kartonësh apo dëmtimesh?

Jo. Vijmë me kondicion të plotë dhe nuk ka asnjë mungesë. Fatmirësisht do të kemi në dispozicion të gjithë “artilerinë” e rëndë dhe do të shkojmë me opsione të shumta për sa i takon formacionit apo zëvendësimeve. Nga kjo gjë jam i çliruar.

Pritet të ketë ndryshime në skemën e lojës apo do të luani me të njëjtin modul?

Nuk flas në detaje sa i takon taktikës që kam zgjedhur, por mendoj që kam zgjedhur strategjinë e duhur për të arritur fitoren. Se si, do ta shohim nesër(sot) në fushën e lojës.