Ernest në vend të Prengajt, Shkëmbi ka gati formacionin për derbin
Trajneri Bledi Shkëmbi është fokusuar te ana taktike me ekipin në stërvitjen e djeshme, ndërsa ka lënë të kuptohet se ndryshimet në formacion do të jenë me pikatore. Duket se korçarit i ka pëlqyer loja e zhvilluar kundër Elbasanit dhe pas rikthimit të sulmuesit liberian, Emanuel Ernest, gjasat janë që të ketë vetëm një lëvizje në derbi, krahasuar me takimin e fundit kundër verdhebluve.

Me shumë mundësi do ta nisë nga stoli sulmuesi i krahut, Prengaj, ndërsa do të hapet vendi për Ernest, i cili në rolin e një qendërsulmuesi tipik, do të ketë mbështetjen e Ndrecës dhe Zharmunit në ofensivë.
Me skemën 4-3-3 bardheblutë do të kërkojnë të imponohen me lojën e tyre, ashtu siç në fakt bënë në pjesën më të madhe të ndeshjes me Elbasanin. Në derbi mungesa të sigurta për shkaqe dëmtimesh do të jenë Rimal Haxhiu, Qëndrim Ismajli, Aldi Gjumsi dhe Henri Marku.
PANORAMASPORT.AL













