“Erdha me frikë, por jam dashuruar me Shqipërinë”, rrëfehet sulmuesi serb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2019 | 16:27

“Erdha me frikë, por jam dashuruar me Shqipërinë”, rrëfehet sulmuesi serb

Po ndihet “dora” e Stojkut në Fier. Të paktën e tregojnë statistikat në lojë e rezultat gjatë tri javëve që ky trajner ka drejtuar Apoloninë në kampionat: 3 fitore radhazi (6 fitore në 19 javë të mëparshme Apolonia), 9 gola të shënuar, me mesatare 3 gola për ndeshje (13 gola në 19 javët e mëparshme, me mesatare 0. 68 gola për ndeshje).

Stojku5

Ka fituar ritmin e duhur kjo Apoloni e tanishme, sa duket ka gjetur “ustain” e përshtatshëm për t’i “grasatuar ingranazhet e ndryshkura” – trajnerin Gentian Stojku. Por kryepankina fierake ndihet modeste, duke i dhënë pjesën më të madhe të meritës ekipit që drejton. “Kur skuadra reagon dhe luan sipas kërkesave të trajnerit, – thotë Stojku, – primare është merita e lojtarëve që zbatojnë me përpikmëri detyrat e ngarkuara”.

Gjithsesi, edhe vetë numri një i pankinës fierake e ka të qartë se kjo është periudhë “nxemjeje” për Apoloninë, pasi mbijetesën praktikisht e ka siguruar, por betejën e vërtetë ky trajner me këtë skuadër e ka sezonin e ardhshëm. “Po, e di se për çfarë kam ardhur këtu: për Apoloninë e nesërme, një projekt afatgjatë.

51037737_2328716087356322_6966293562333855744_n

Por është shumë e rëndësishme fryma aktuale e grupit, mentaliteti fitues, besimi në vetvete, loja e ndershme dhe karakteri i qëndrueshëm i skuadrës. Dhe nëse e bëjmë këtë gjë sot, teksa nuk kemi interes tjetër veç mbijetesës thuajse të garantuar, them se është një tregues optimist për psikologjinë dhe formatin e ekipit të edicionit të ardhshëm”, thotë selektori i Apolonisë, Gentian Stojku.

VLADISAVLJEVIÇ – “I heshturi produktiv”, togu vlerësues për Lazar Vladisavljeviç. Jashtë vëmendjes 26-vjeçari serb i ardhur tek Apolonia këtë dimër, ka bërë “lojë të padukshme” te fierakët. Vetëm 660 minuta përgjatë 8 ndeshjeve aktivizim dhe plot 5 gola të shënuar, Vladisavljeviç është goditja më e mirë në merkaton dimërore për Apoloninë, edhe pse i huazuar nga Macva Sabac, me mundësi për kontratë.

Vladisavljeviç

Është befasuar pozitivisht nga Shqipëria, i impresionuar nga Fieri dhe i kënaqur nga Apolonia – ky është “tharmi” i eksperiencës së parë shqiptare për futbollistin në fjalë. “Kam ardhur jo pak i frikësuar për klimën që mund të gjeja këtu, por e paskam pasur krejt të kotë.

Në Shqipëri ka njerëz të mrekullueshëm, që të duan dhe të respektojnë, ndaj Fieri më ka hyrë në shpirt. Apolonia? Absolutisht që ndihem mirë, sepse gjithë ai vlerësim që thashë më lart, prej këtej e ka zanafillën, prej kësaj skuadre. E dua këtë ekip, ‘më ngjit’, kam gjetur përshtatësi dhe jam përpjekur të jap maksimumin në çdo ndeshje. Golat e mi? Kam bërë ‘detyrën’, kam finalizuar aksionet e shokëve të skuadrës.

Apolonia

Kemi një ekip të mirë mendoj dhe trajneri i ri po tregon aftësitë e duhura profesionale. Sa i përket pyetjes suaj për të ardhmen time tek Apolonia, nuk mund të them gjë konkrete, pasi gjithçka është evazive për momentin. Nuk jemi ulur për të biseduar. Tani për tani mendoj për të dhënë maksimumin në javët e mbetura, që do të thotë lojë të mirë dhe sa më shumë gola të tjerë”, deklaron ekskluzivisht për “Panorama Sport” mesfushori i avancuar i Apolonisë, Lazar Vladisavljeviç, autor i dy golave në ndeshjen e fundit ndaj Pogradecit.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL