Epoka “Idrizi”, hera e tretë që modifikohet logo. Flamurtari ndryshon stemën pa konsultim, shpërthejnë tifozët
Flamurtari ndryshon për herë të tretë në epokën e Sinan Idrizit stemën e klubit. Këtë herë gjithçka është bërë në heshtje, pa asnjë njoftim apo konsultim paraprak me autoritetin vendor, Bashkinë e Vlorës dhe Këshillin Bashkiak që është edhe pronari i klubit.
Por drejtuesit kanë anashkaluar edhe pjesën më të ndjeshme që janë tifozët, të cilëve nuk u kanë shpjeguar asgjë, qoftë edhe formalisht në rrjetet sociale. Logo apo stema e re përmban ngjyrat kuqezi të theksuara. Shqiponja, gërma “F”, viti i krijimit të klubit, 1923, si dhe inicialet e shkurtuara F.FC. janë në ngjyrë të kuqe, ndërsa fusha është e zezë.

REAGIMET E TIFOZËVE- Menjëherë pas këtij vendimi të papritur, në rrjetet sociale dhe konkretisht në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”, është publikuar një “lum” komentesh nga tifozët. Këta të fundit kanë reaguar ashpër. Të gjithë kundër këtij ndryshimi! “Stema nuk ndryshon, ku i keni parë këto”; “Riktheni logon legjendare, boll me eksperimente qesharake”; “Unë besoj se logo e parë ka qenë super, nuk e di tani ça po çoni se vit për vit i ndërroni”; “Kush i merr këto vendime qesharake për ndërrimin e stemës çdo herë. Ktheni stemën e vjetër dhe pikë”; “Të paktën është kuqezi, jo shqiponja ngjyrë floriri. Gjithsesi, stemën e vjetër se kuptoj pse nuk e ktheni”; “Logo e bërë me Mikrosoft Paint”. Këto ishin disa nga reagimet e ashpra të tifozëve, të cilat Sinan Idrizi nuk duhet t’i injorojë, por të reflektojë për ta hedhur ndoshta për konsultim më të gjerë publik ndryshimin e stemës.
LIGJI DHE ANASHKALIMI I BASHKISË– Drejtuesit e Flamurtarit dhe vetë administratori i klubit, Sinan Idrizi, nuk i kanë dërguar asnjë kërkesë Bashkisë së Vlorës dhe Këshillit Bashkiak për të ndryshuar stemën. “Panorama Sport” u interesua për këtë gjë pranë këtyre dy institucioneve të rëndësishme vendore që janë edhe pronarë të Flamurtarit, por drejtues dhe zyrtarë të tyre nuk kishin fare dijeni. Ligji për Shoqëritë Tregtare, Nr.9902, përcakton qartë rrugën që duhet ndjekur për ndryshimin e stemës. Një burim konfidencial pranë Bashkisë së Vlorës, shpjegon për gazetën. “Ligji nuk ka ndryshuar. Flamurtari duhet të kontrollohet nga Këshilli Bashkiak i Vlorës. Flamurtari është një shtëpi, që drejtuesit e aktual e kanë marrë me qera, por pronar është dikush tjetër. Logo miratohet me vendim të asamblesë. Ligji për Shoqëritë Tregtare, Nr.9902, e përcakton qartë. Flamurtari është SH.A dhe çdo vendim mbi Shoqërinë e merr Asambleja e saj. Por, kush është asambleja? Asambleja në këtë rast është Këshilli Bashkiak ose autorizuesi që e merr autorizimin në mbledhje, kryetari i bashkisë, ose anëtarët e këshillit bashkiak. Gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur”, shprehet burimi pranë bashkisë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













