Epoka Bratu nis nga Pogradeci, “Demat” gati për sezonin e ri
Partizani do të nisë nga sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Ndryshe nga sa ishte raportuar më parë për një fazë në Maqedoninë e Veriut, “Panorama Sport” mëson se të kuqtë do ta zhvillojnë periudhën përgatitore në Pogradec.

Një sezon i ri, që vjen pas një viti me shumë ndryshime në stol. Bratu merr drejtimin e skuadrës pas një sezoni të trazuar për klubin kryeqytetas. Fillimisht skuadra u drejtua nga Skënder Gega, më pas stafetën e mori Mladen Milinkoviç.
Në fund të kampionatit drejtimin e ekipit e morën Oltijon Kërnaja dhe më pas Real Zhivanaj, i cili mbylli sezonin në pankinën e të kuqve. Tashmë rumuni do të ketë detyrën të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të rikthejë Partizanin në objektivat madhorë.

LËVIZJE TË SHUMTA NË MERKATO
Bratu do të nisë punën me një grup që ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë merkatos së verës. Siç raportoi ekskluzivisht “Panorama Sport”, nga Partizani janë larguar Altin Bytyçi, Karlos Martinez dhe Amos Nondi. Ndërkohë, David Fadairo do të vazhdojë karrierën te Dinamo, me të cilën do të luajë në Ligën e Konferencës.
Nga ana tjetër, klubi ka siguruar vazhdimësinë e disa prej futbollistëve kryesorë. David Atanaskoski, Redon Ismaili dhe Albers Keko kanë rinovuar kontratat e tyre, ndërsa më pas firmën e re e hodhën edhe Albion Marku dhe Marçelino Preka.
Nga kampi i kuq është larguar gjithashtu Vusal Isgandarli, ndërsa Rrok Toma është huazuar te Vllaznia për ndeshjet në kompeticionet europiane. Me trajner të ri, një fazë përgatitore të programuar në Pogradec dhe një merkato ende të hapur, Partizani synon të ndërtojë themelet e një sezoni më të qëndrueshëm dhe më konkurrues se ai i kaluar.
PANORAMASPORT.AL













