Java e së vërtetës, blutë e Dinamos përgatiten për Europën
Dinamo ka hyrë zyrtarisht në javën e së vërtetës, me përgatitjet që tashmë marrin fokusin maksimal në prag të sfidës së Europës ndaj Astanës. Nga dita e sotme, skuadra nis fazën finale të përgatitjeve, ku do të ketë në dispozicion tre ditë për të dhënë “dorën e fundit” para ndeshjes vendimtare.

Stafi teknik dhe grupi i lojtarëve janë të përqendruar plotësisht te përmirësimi i detajeve taktike dhe gjendjes fizike, në funksion të paraqitjes sa më të mirë në fushë. Dinamo do të zbresë në fushë të enjten në orën 21:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, për ndeshjen e Ligës së Konferencës, ku përballë ka një emër të madh si ai i Astanës.
Skuadra dinamovite synon të paraqitet në nivelin më të lartë dhe të marrë maksimumin nga kjo sfidë e rëndësishme. Sezonin e shkuar, blutë e nisën nga turi i dytë dhe arritën të eliminonin dy skuadra si Atletik Eskaldes dhe Hajduk Split, para se t’i eliminonte Jagellonia në “play Off”.
PANORAMASPORT.AL













