Eliminuan Partizanin nga Europa, trajneri i Kaljus: U mbrojtëm si luanë, e thashë se jemi më mirë fizikisht
Kalju tronditi Partizanin, duke e eliminuar në turin e parë të Ligës së Konferencës. Trajneri i estonezëve, Nikita Andrejev, vlerësoi skuadrën e tij, ndërsa rikujtoi se kishte thënë që do fitonin pa nevojën e penalltive. Po ashtu, preku faktin që Kalju u shfaq më lart se Partizani fizikisht.
PJESA E PARË- Emocionet janë të mrekullueshme. Mendoj se e meritonim këtë fitore. Pjesa e parë ishte shumë e vështirë, lojtarëve iu desh pak kohë për t’u përshtatur. Nuk ishim mirë me topin në pjesën e parë, bëmë shumë gabime të thjeshta, lojtarët ishin pak të nervozuar, por kjo është normale. Shumica e tyre nuk kishin shumë përvojë në garat europiane.
ZGJIDHJA– Në pushim bëmë disa korrigjime, folëm me lojtarët. Arritëm ta marrim ndeshjen nën kontroll. Kjo është Liga e Konferencës, duhej të ishim të disiplinuar në mbrojtje dhe të shfrytëzonim rastin që na u dha. Ekipi bëri një punë shumë të mirë, djemtë u mbrojtën si luanë dhe e merituan kualifikimin.
ZËVENDËSIMET- Lojtarët që hynë nga stoli vendosën ndeshjen, Nikolajev dhe Ivanov treguan se kemi një stol shumë të mirë. Çdo lojtar është gati të vijë nga stoli dhe të na ndihmojë. Siç e thashë edhe para ndeshjes, nga ana fizike jemi ekip shumë më i mirë. Hymë në fushë me mendimin se do ta fitojmë ndeshjen pa penallti, dhe ashtu ndodhi.
PORTIERI- Portieri bëri një ndeshje fantastike për ditëlindje. Mendoj se kualifikimi është dhurata më e mirë si për të, ashtu edhe për gjithë Kaljun.
NDESHJA E RADHËS– Së pari duhet të qetësohemi emocionalisht, sot nuk mendojmë ende për ekipin nga Irlanda, por do ta festojmë këtë arritje. Kalju nuk ka arritur të marrë pjesë në garat europiane për disa vite, kështu që kualifikimi është një sukses i madh për klubin. Shpresoj që ata të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, të luftojnë dhe të mbeten të përqendruar. Sigurisht që duam të kalojmë edhe kundër ekipit irlandez, por fillimisht duhet të përqendrohemi te ndeshja e kampionatit.
PANORAMASPORT.AL













