Elbasani projekton rikthimin e ish-trajnerit, ja plani i verdhebluve…
Eriol Merxha pritet të rikthehet në stolin e Elbasanit. Bëhet fjalë për sezonin e ardhshëm, me një kontratë dyvjeçare, për t’i dhënë mundësinë të ringrejë klubin e futbollit të Elbasanit, i cili prej disa sezonesh endet në nivele inferiore në futbollin shqiptar.

Të paktën, kështu pohojnë burime të besueshme në klubin verdheblu për “Panorama Sport” në lidhje me këtë çështje dhe mësohet se edhe vetë ish-futbollisti elbasanas mund ta mirëpresë një rikthim si trajner nga sezoni i ardhshëm, pavarësisht nëse verdheblutë do të luajnë në Kategorinë e Parë apo të Dytë.
Merxha kishte drejtimin e skuadrës një vit më parë në Kategorinë e Dytë dhe ia arriti të ngjisë Elbasanin në të Parën pa pësuar asnjë humbje. Por, pasi drejtoi për dy ndeshje verdheblutë në të Parën dha dorëheqjen, ndërsa tani skuadra drejtohet nga Marsid Dushku.

Gazeta kontaktoi Eriol Merxhën që u shpreh: “Unë jam munduar të jap kontributin tim për skuadrën edhe kur nuk kam qenë trajner, madje edhe këtë sezon po përpiqem t’i ndihmoj për të arritur qëndrimin. Nëse do të gjendet dakordësia për të marrë sërish drejtimin e skuadrës sezonin e ardhshëm, do ta pranoja.
Duhet të fokusohemi më shumë te lojtarët vendës që kemi, pasi me të huajt kemi parë që nuk ka rezultuar efikase. Elbasani është një qytet që ka potencial. Nëse bëhet ekip i mirë, besoj se do na rikthehen edhe tifozët”.













