Elbasani ka nevojë për një provë force, ndaj Vorës rikthehet kapiteni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2026 | 23:08

Elbasani ka nevojë për një provë force, ndaj Vorës rikthehet kapiteni

Elbasani është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për ndeshjen e fundjavës ndaj Vorës, një përballje që vjen në një moment delikat të kampionatit. Verdheblutë janë të vetëdijshëm se në këtë pikë të sezonit çdo ndeshje ka peshë të veçantë, pasi të gjitha skuadrat luftojnë për objektivat e tyre, qoftë për zonën e sipërme, qoftë për t’u larguar nga fundi i renditjes.

elbasani

Pas humbjes në transfertë ndaj Vllaznisë në Shkodër, atmosfera në kampin elbasanas kërkon rikthimin e qetësisë, dhe kjo mund të vijë vetëm përmes një rezultati pozitiv. Fitorja ndaj Vorës shihet si mënyra më e mirë për të reaguar, por edhe për të rikthyer besimin në skuadër për javët në vijim. Stafi ka punuar gjatë gjithë javës për të korrigjuar gabimet e evidentuara në ndeshjen e fundit, sidomos në repartin difensiv, ku skuadra ka shfaqur luhatje.

RIKTHIMI I KAPITENIT- Një lajm inkurajues për trajnerin Ivan Gvozdenoviç është rikthimi i kapitenit Bruno Lulaj. Mbrojtësi ka lënë pas shqetësimin fizik që e mbajti jashtë formacionit titullar në Shkodër, ku qëndroi në stol për të mos u rrezikuar. Gjatë ditëve të fundit ai është bashkuar normalisht me grupin dhe ka zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë, duke shtuar gjasat për ta nisur sfidën nga minuta e parë. Mungesa e Lulajt në fushë është ndier qartë në prapavijë.

Statistikat tregojnë se, me kapitenin jashtë formacionit, Elbasani ka pësuar më shumë gola dhe ka humbur sigurinë që e karakterizonte në fazën e parë të kampionatit, kur konsiderohej një nga mbrojtjet më solide. Përvoja dhe udhëheqja e tij janë elementë kyç në organizimin defensiv, ndaj rikthimi i tij pritet të ketë ndikim të menjëhershëm në stabilitetin e skuadrës.

DYSHIME PËR SENEGALEZËT – Në krahun tjetër, jo gjithçka është pozitive për stafin teknik. Dy futbollistët senegalezë, Ibrahima Diallo dhe Insa Boje, mbeten në dyshim për ndeshjen e fundjavës. Diallo u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen e fundit për shkak të një dëmtimi, duke i lënë vendin bashkëkombasit të tij. Ndërkohë, Boje pësoi një lëndim në dorë gjatë festimit të golit, që mund ta kushtëzojë aktivizimin e tij. Stafi mjekësor po punon intensivisht për rikuperimin e tyre, pasi bëhet fjalë për lojtarë me peshë në organikë, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në repartin ofensiv. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e tyre pritet të merret vetëm pas testeve të fundit para ndeshjes.

PRESIONI- Përballja me Vorën parashikohet e luftuar, pasi edhe kundërshtari ka nevojë për pikë. Në këtë fazë të kampionatit diferencat janë të vogla dhe çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Elbasani do të kërkojë të imponojë lojën në fushën e vet, me përqendrim maksimal. Mes rikthimeve dhe pikëpyetjeve, skuadra synon të tregojë karakter dhe të reagojë si një grup i konsoliduar. Objektivi është i qartë: tre pikët, për të rikthyer besimin dhe për të vazhduar rrugëtimin drejt realizimit të synimeve.

 

VLADIMRI MEMA – PANORAMASPORT.AL