Elbasani fiton “finalen”, Tomori akuzon: Lojë e manipuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2019 | 11:35

Elbasani fiton “finalen”, Tomori akuzon: Lojë e manipuluar

Elbasani fiton duelin e mbijetesës me Tomorin në “Elbasan Arena” me shifrat e pastra 2-0, duke iu afruar me vetëm një pikë beratasve në klasifikim dhe shpresuar se mund të sigurojnë qëndrimin pa pasur nevojën e një ndeshjeje shtesë. Golat e Arsen Lleshit në pjesën e parë dhe të Klodian Nurit në të dytën, u dhanë tri pikët e “arta” elbasanasve, ndërkohë që miqtë nga Berati ia faturojnë gjithçka gjykimit, të cilët gjatë gjithë ndeshjes kanë pasur kontestimet e tyre karshi arbitrimit.

tomori

NDESHJA Përballja do të niste qetë në minutat e para për të dyja ekipet, të cilat mundohen më shumë që të qarkullojnë topin në zonat e tyre. Shkëndijën e parë do ta jepte Sharavolli për miqtë në të 11- ën, por goditja e tij në kufijtë e zonës së rreptësisë pritet nga portieri Moli. Në rastin e parë të rrezikshëm verdheblutë do të zhbllokonin shifrat, teksa një krosim i Hoxhajt nga e djathta gjen Lleshin në zonë, i cili godet bukur me kokë dhe topi ndalet në rrjetë, ndonëse Kaloshi u mundua të devijojë sferën. Gëzim i ligjshëm në kampin elbasanas, të cilët mund të marrin frymë lirisht.

Ndërkohë, Tomori bën përpjekjet e veta në sulm dhe në dy momente kërkojnë edhe penallti pas rrëzimeve në zonë, por për kryesorin Hoxha duhet të vazhdojë loja. Acarohen miqtë, por më kot, teksa pjesa e parë mbyllet pa ndonjë rast të pastër shënimi. Në fraksionin e dytë janë elbasanasit që shfaqen rrezikshëm me Hoxhajn, por goditja e tij e dënimit ndalet pa problem nga portieri Kaloshi.

Goli i qetësisë dhe që do t’u jepte fitoren elbasanasve do të vinte në minutën e 63-të, me Nurin që përfiton si duhet pas një pasimi në zonë dhe godet tokazi, me sferën që shkon në cepin ku portieri mik nuk e ndal dot. 2-0 dhe praktikisht gjithçka duket e mbaruar, me beratasit që nuk kanë më besim te ndonjë përmbysje, ndërsa verdheblutë për pak mund të shënonin të tretin me anë të Nurit, por goditjen e tij fluturimthi e ndal vetëm shtylla. Kështu mbyllet gjithçka 2- 0, me Elbasanin që merr tri pikë shprese, ndërsa beratasit ia faturojnë humbjen gjykimit.

AKUZAT Drejtori i Sporteve në Bashkinë e Beratit, Alban Pambuku, pas ndeshjes së djeshme deklaroi:

“Ishte një 90-minutësh në trysni. Edhe kur loja ishte 2-0, arbitri nuk i la të luanin lojtarët që të ishte një lojë e rregullt. Dakord, e bëri detyrën e tij për ta dërguar rezultatin 2-0, por të paktën të lejonte të luheshin minutat e mbetura. Nuk di ta them nëse të tilla gjykime bëhen enkas ndaj nesh apo thjesht u favorizua Elbasani nga faktori fushë, apo miqësia. Por dua të them që ishte një lojë e manipuluar, në mënyrë që rezultati të dilte kështu siç doli. Jemi përpara një trysnie të federatës që nuk po e ndalim, vepron si do vetë dhe jemi të detyruar t’i nënshtrohemi fatit”.