Elbasani duket gati në fazën përgatitore, Lleshi shqetëson Gvozdenoviçin
Në prag të nisjes së sezonit të ri, gjendja fizike e futbollistëve të Elbasanit duket më e mira e mundshme. Pas disa javësh stërvitje intensive dhe pa asnjë shqetësim serioz, skuadra po shfaq sinjale pozitive në aspektin atletik, duke kënaqur maksimalisht trajnerin Ivan Gvozdenoviç.

Të gjithë lojtarët janë në formë optimale dhe kanë reaguar mirë ndaj ngarkesës së fazës përgatitore, duke treguar ritëm dhe qëndrueshmëri në seanca të shpeshta dhe dinamike. Kjo është një situatë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar, kur Elbasani u përball me një sërë dëmtimesh të njëpasnjëshme, që ndikuan drejtpërdrejt në performancën e skuadrës në momentet kyçe të kampionatit.
Lojtarë të rëndësishëm munguan për periudha të zgjatura, duke e detyruar stafin teknik të improvizonte shpesh në formacion dhe të bënte rotacione të detyruara. Pikërisht për këtë arsye, këtë verë është punuar me kujdes të veçantë në aspektin fizik dhe parandalimin e dëmtimeve. Rezultatet po shihen që në këto ditë të para. Lojtarët kanë hyrë me seriozitet maksimal në ritmin e përgatitjeve dhe janë përgjigjur mirë, si në ndeshjen miqësore, ashtu edhe në testet fizike që janë kryer.
Kjo formë premtuese i jep trajnerit Gvozdenoviç mundësinë të fokusohet më shumë në aspektin taktik dhe ndërtimin e automatizmave të lojës, pa pasur nevojë të shqetësohet për mungesa të pashmangshme. Nëse kjo vazhdon, Elbasani do të nisë sezonin me një avantazh të rëndësishëm: një grup të plotë, në formë dhe të gatshëm për sfidat që i presin.
LLESHI, SHQETËSIMI I VETËM – Megjithatë, një prej emrave që ende nuk ka arritur formën e plotë, është sulmuesi Arsen Lleshi. Pas operacionit në ligament disa muaj më parë, lojtari është rikthyer në stërvitje me ekipin dhe po ndjek me përpikmëri programin e rikuperimit, por ende nuk është në ngarkesë të plotë. Ai po stërvitet me kujdes nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe përgatitësve fizikë, me qëllim që të shmangen komplikime dhe të mos nxitohet rikthimi i tij në ritme të larta.
Në klub mbetet optimizëm se Lleshi do të jetë gati për startin e kampionatit, por gjithçka do të varet nga reagimi i trupit të tij gjatë javëve në vijim. Stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë me një rikthim të parakohshëm dhe po ndjek me kujdes çdo hap të procesit të tij. Arsen Lleshi ishte një nga pikat më të forta të Elbasanit në sezonin e kaluar, duke u shfaqur si golashënuesi më i mirë i skuadrës me 7 gola, pavarësisht se luajti më pak ndeshje, për shkak të problemeve fizike.
Sulmuesi u dallua për instinktin para porte dhe vendosmërinë në zonë, duke u kthyer në një element kyç për repartin ofensiv verdheblu. Kontributi i tij ishte vendimtar në disa ndeshje, ndërsa efikasiteti në raport me minutat e luajtura e bën një lojtar të pazëvendësueshëm në skemat e Gvozdenoviç. Rikthimi i tij i plotë do të ishte një lajm i madh për Elbasanin në prag të nisjes së sezonit të ri.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













