EKSKLUZIVE/ Zabërgja: E dinim që do të riktheheshim, tani të mundim Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2025 | 23:13

EKSKLUZIVE/ Zabërgja: E dinim që do të riktheheshim, tani të mundim Partizanin

Baton Zabërgja vazhdon me formën e tij të mirë, duke gjetur sërish rrugën e rrjetës dhe duke ndihmuar Dinamon të fitojë. Kundër Elbasanit ai shënoi golin e dytë të ndeshjes dhe të dhjetin për këtë kampionat, çka përkthehet në pikë mjaft pikë të rëndësishme për skuadrën e tij.

zabergja

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi i bluve pohon se ndihet mjaft mirë për golat e tij dhe thekson se Dinamos i duhej një fitore pas asaj humbjeje të pësuar në Ballsh. “Këtë fitore ia dedikojmë kapitenit Dita që u dëtua. Normalisht, ndihem mirë kur shënoj. E kam thënë edhe më herët që për një sulmues janë gjithnjë të rëndësishëm golat. Shifrat flasin vetë, por më shumë jam i lumtur që skuadra po ecën mirë, sepse vinim nga ajo humbje në Ballsh që na theu pak. Dinamo është klub i madh dhe e dinim që do të riktheheshim, sidomos në ndeshje të tilla”, u shpreh fillimisht Baton Zabërgja.

GOLI MË I BUKUR – Sa i përket golit më të veçantë të këtij sezoni, lojtari kosovar zgjedh atë përballë Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”. “Ndoshta do të veçoja golin në Shkodër. Edhe gol i bukur, por edhe nga rëndësia që kishte”, vijoi sulmuesi dinamovit.

PRESIONI – Rivalët e Dinamos kishin fituar të gjithë më herët, ndaj për blutë kishte presion për të mos humbur ritmin. Zabërgja pohon se e rëndësishme është që ekipi të ketë vazhdimësi: “Çdo ndeshje ka presionin e vet, por e rëndësishme është që u futëm me seriozitetin e plotë dhe morëm tri pikët. E rëndësishme është që të kemi vazhdimësi”.

DERBI – Për Dinamon nuk ka shumë kohë për të festuar, sepse shpejt vjen derbi me Partizanin. Dy skuadrat ndajnë kreun me pikë të barabarta, ndaj dhe ky derbi merr një rëndësi të veçantë. Zabërgja vlerëson kundërshtarin, por kërkon maksimumin me Dinamon. “Është një ndeshje derbi, Partizani është ekip i madh dhe ka organikë të mirë brenda vetes. Duhet t’i qasemi maksimalisht dhe shpresoj për një rezultat pozitiv”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën një nga futbollistët më në formë te Dinamo. Për të ka interesim nga klubet e huaja, por vetë lojtari duket se ka vendosur që të qëndrojë të paktën deri në fund të sezonit, pse jo për t’u shpallur kampion me blutë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL