EKSKLUZIVE/ Zabërgja: Dua “Këpucën e Artë”, në fund të sezonit diskutoj me Dinamon për të ardhmen (E PLOTË)
Goli i Baton Zabërgjës ndaj Teutës i dha një pikë Dinamos, e cila i vlen për të siguruar në mënyrë matematikore “Final 4”, tri javë nga mbyllja e kampionatit. Për këtë arsye, ajo rrjetë merr vlera për blutë e kryeqytetit. Në fjalën e tij për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi i kënaqet pikës, edhe pse rastet për të dalë me fitore nuk i munguan.
“Normalisht që jam i lumtur për golin, por mendoj që me pak fat mund të dilnim me tri pikë nga kjo ndeshje, sepse kishim raste. Megjithatë, ky është futbolli, ku ndoshta pak ndikoi edhe terreni, por përgjithësisht jemi të kënaqur. Goli i Teutës na e bëri më të vështirë, sepse e pësuam në një moment të mirë dhe po qarkullonim topin. E gjetëm forcën në pjesën e dytë dhe barazuam, edhe pse rastet për të kaluar në epërsi nuk na munguan. Besoj se çdo pikë në këtë situatë të kampionatit ku jemi, vlen shumë”, u shpreh fillimisht sulmuesi i bluve sa i përket këtij barazimi.
VLLAZNIA – Objektivi i radhës i dinamovitëve është që tani të sigurojnë një nga dy vendet e para. Mund t’ia dalin që këtë javë, pasi kanë ndeshjen direkte me Vllazninë në transfertë. Zabërgja e sheh një ndeshje të vështirë, por ka besim te rezultati pozitiv dhe goli personal. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse luajmë si mysafirë në Shkodër. Megjithatë, duke besuar tek ky grup që kemi, te këta lojtarë, mendoj që do të dalim me rezultat pozitiv. Normalisht shpresoj që të shënoj për të ndihmuar ekipin”, vijoi më tej prononcimin e tij për gazetën sulmuesi i Dinamos.
“KËPUCA E ARTË” – Me performancën e tij në fushën e lojës dhe golat e shënuar, Baton Zabërgja bëhet kandidat për të fituar “Këpucën e Artë”. Ka shënuar 12 gola, aq sa shoku i skuadrës, Mandela, si edhe ka dy më pak sesa Balaj dhe Lushkja. Sulmuesit nuk i mungon ambicia për ta fituar dhe do ta tentojë këtë gjë.
“Përderisa kemi arritur deri në këtë pikë, ambiciet janë që ta fitoj, pse të mos e provojmë. Do ta shohim deri në fund se çfarë do të ndodhë dhe të shpresojmë që po”, u shpreh ylli i dinamovitëve.
E ARDHMJA – Me sezonin që po bën, ndaj Zabërgjës kanë nisur që të shprehin interes shumë skuadra të tjera dhe ndoshta e sezonin në vijim mund ta shohim larg Dinamos. I pyetur rreth merkatos, sulmuesi “tribloi”, duke lënë të hapur çdo mundësi.
“Besoj se në fund të sezonit do të diskutojmë për këtë gjë”, mbylli prononcimin e tij Baton Zabërgja, i cili këtë sezon ka qenë një nga lojtarët kryesorë të ekipit të Dinamos.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













