EKSKLUZIVE/ Vizita e Sinan Idrizit në Spanjë dhe Itali, zbulohen detajet e projektit “Vlora Sport”
Zbardhet vizita e Sinan Idrizit në Spanjë dhe Itali. E ndërsa skuadra udhëtoi drejt Turqisë, Idrizi pasi u përshëndet mori një tjetër drejtim. “Panorama Sport” zbulon se gjithçka lidhet me projektin “Vlora Sport” në Pyllin e Sodës, që parashikon ndërtimin e një infrastrukture moderne sportive.

Ai është prezantuar në disa takime zyrtare dyditore që drejtues të Klubit të Futbollit “Flamurtari” kanë zhvilluar në Spanjë dhe Itali. Një projekt ambicioz që do t’u japë një tjetër dimension sporteve në Vlorë, për të sjellë një standard tjetër të futbollit dhe sporteve në përgjithësi, edukimit të të rinjve dhe evidentimit dhe nxjerrjes së talenteve.
Një delegacion i kryesuar nga kreu i Flamurtarit Sinani Idrizi, në përbërje të së cilit ishin zyrtarë të klubit dhe miku i tij Albert Deliaj, në ditën e parë, udhëtuan nga Rinasi me avion privat drejt Alicante në Spanjë për të zhvilluar disa takime me studio të mirënjohura në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës që kanë eksperiencën dhe ekspertizën e nevojshme për zhvillimin e të tilla projekteve.
Në Alicante të Spanjës, ata panë nga afër edhe disa projekte të ngjashme me atë të “Vlora Sport”, në zona me ngjashmëri si Pylli i Sodës. Pas vizitës në Alicante të Spanjës, presidenti i klubit të futbollit Flamurtari dhe delegacioni që e shoqëronte udhëtuan në drejtim të kryeqytetit të Italisë. Në Romë ata zhvilluan një tjetër takim në kuadër të prezantimit të Projektit Vlora Sport, me studio të njohura dhe me një grup arkitektësh me famë ndërkombëtare.
“Panorama Sport” zbulon projektin e ngjashëm me atë në Alicante të Spanjës dhe bëhet fjalë për ndërtimin e fushave të futbolli, basketbollit, volejbollit dhe pishina. Pas takimeve prezantuese në Spanjë dhe Itali, vula përfundimtare e “Vlora Sport” do të vendoset pas dy javësh në Bruksel në takimin përfundimtar me studio dhe arkitektë ndërkombëtarë që do të ndjekin dhe zbatojnë në terren këtë projekt ambicioz.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













