EKSKLUZIVE/ “Tirana e ka humbur identitetin”, Xhafa analizon Superioren: Dinamo për titull, ka ekspertë në staf
Dinamo e nisi fazën e parë të kampionatit me luhatje të shumta, por në javët e fundit krijoi stabilitet dhe filloi të merrte rezultate pozitive. Ish-sulmuesi i Dinamos, Fjodor Xhafa në një intervistë për “Panorama Sport” ka vlerësuar skuadrën blu këtë sezon, duke qenë i bindur se së bashku me stafin dhe drejtuesit, e kanë mundësinë për titull.

Fjodor, u mbyll faza e parë e kampionatit. Si të është dukur Dinamo deri më tani?
Për mua, e rëndësishme është që hyri në lojë e kapi ritmin e saj dhe hyri në këtë rrugë pozitive dhe shpresoj të vazhdojë me këtë ecuri dhe të mbajë rezultatet pozitive. Dinamo pati atë tranzicionin nga ndeshjet në Kupat e Europës, që për mua bëri mirë. Më pëlqeu me paraqitjen që bëri atje, qoftë me lojën, qoftë rezultati. Me pak fat mund të ishte diçka më mirë, por pati një far si vakumi pastaj në katër ndeshjet e para të kampionatit. Por që tani hyri në ritëm edhe në qoftë se mban këtë ritëm është nga pretendentet kryesore.
Çfarë pret ndryshe në këtë fazë të dytë që nis sot?
Siç e thashë, ndoshta nuk ishte e qetë. Në momentet e para pas Kupave të Europës, ndoshta nuk e kishte atë motivimin e duhur, pasi tjetër realitet dhe tjetër intensitet është në Kupat e Evropës dhe tjetër në kampionat apo kudo. Por gjithsesi, edhe kur ka bërë keq, me këdo që është ndeshur dhe që nuk ka marrë atë që pritej, prapë ka pasur identitetin e saj. Kështu do të jetë edhe me Teutën që do të ketë sot përballë. Teuta nuk është më ajo Teutë e viteve të fundit, por është më e konsoliduar edhe ka pasur pak a shumë stabilitet në lojën e saj. Gjithsesi, besoj se Dinamo do të bvëjë diferencë.
Si e parashikon këtë ndeshje mes Dinamos dhe Teutës?
Mendoj se do të jetë ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat dhe që do të ketë stabilitet. Megjithatë, në fund besoj se është Dinamo skuadra e cila do të buzëqeshë në fund të ndeshjes.
A mendon se Dinamo e ka agresivitetin e një skuadre që mund të fitojë titullin kampion këtë sezon?
Agresive nuk e kam parë të them të drejtën sepse në përgjithësi ekipet e Dajës nuk është se janë agresive, por janë konkrete edhe janë efikase. Kështu që edhe atëherë kur duket se si e butë si jo agresive, meqë e bën pyetjen për agresivitetin, atëherë Dinamo shfaqet konkrete dhe di të marrë nga ndeshja atë që i duhet dhe që kërkon. Sa i përket efikasitetit, nëse arrin ta mbajë ritmin që ka dhe t’i shfrytëzojë rastet që i jepen siç po bën tani, mendoj se është në rrugën e duhur për të fituar titullin.
Sa i përket garës për “Final 4”, cilat skuadra sheh si pretendente?
Në “Final 4” me duke u bazuar gjithmonë te ecuria e deritanishme e skuadrave, them se Egnatia ka krijuar ka krijuar stabilitet në vitet e fundit dhe ka njëfarë eksperienca që di si t’i shkojë deri në fund të këtyre kompeticioneve, pavarësisht luhatjeve që ka pasur. Edhe Vllazninë dhe Elbasanin e këtij viti, i shoh më të qëndrueshme dhe ndryshe nga vitet tjera.
Ndërkohë Tirana dhe Partizani, po kalojnë një moment jo të mirë…
Tirana dhe Partizani pak a shumë janë njëlloj. Tirana në vitet e fundit e ka humbur identitetin e saj dhe nuk është më, ose më saktë është larg asaj Tiranës që e njohin të gjithë. Ndërsa Partizani me lëvizjet e vjetme të merkatos që shiti lojtarët kryesorë, nuk e ka gjetur akoma ekuilibrin e saj, që të ketë një bosht. Nuk është ekip që të tremb.
Ndërkohë, Tirana emëron trajnerin e tretë. Si e sheh këtë lëvizje?
Mendoj se janë më shumë lëvizje dëshpëruese ,ndoshta nga presioni i tifozëve. Nuk e di, por që asnjëherë lëvizjet kaq të shpeshta të trajnerëve, nuk janë të mira për skuadrën.
Të kthehemi prap te Dinamo. Çfarë mendon se duhet të bëjë ndryshe këtë sezon për të fituar titullin, sepse po përmendet si objektiv?
Tani nuk do flas vetëm si një ish-lojtar, por edhe si profesionist në këtë gjë. Ne e shohim nga larg, pavarësisht se kam edhe informacione për shkak se kam shumë njohje aty. Por mendoj që Dinamo ka ekspertë në drejtim, qoftë në drejtim teknik, qoftë menaxherial të kësaj skuadre, si Daja si Pinari. Mendoj që janë binom i mirë edhe mendoj që ata e dinë më mirë se ne të gjithë se çfarë duhet të bëjnë për ta arritur.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













