EKSKLUZIVE/ Teuta shet Ledjo Beqjan në Hungari, mesfushori transferohet te ekipi i dy shqiptarëve
Mesfushori i Teutës, Ledjo Beqja, do ta vazhdojë karrierën në Hungari.
“Panorama Sport” mëson eksluzivisht se klubi durrsak ka arritur mbrëmë vonë marrëveshjen për shitjen e Beqjas tek ekipi Gyor në kampionatin hungarez. Nuk janë bërë të ditura për momentin shifrat e këtij transferimi, shuma që ka përfituar Teuta nga shitja e njërit prej lojtarëve të saj më të mirë aktualisht.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Martini humb kështu një element shumë të rëndësishëm, por në anën tjetër klubi përfiton financiarisht dhe me siguri do të veprojë në merkaton e dimrit për të gjetur sa më parë zëvendësuesin e 23- vjeçarit.
Karriera e Ledjo Beqja është e lidhur vetëm me skuadrën durrsake, ku këtë sezon ai ka mbajtur në disa ndeshje edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori ka realizuar dy gola këtë sezon për “Djemtë e detit”. Për të është një hap i rëndësishëm përpara në karrierë kalimi në një kampionat më të fortë si ai hungarez.
Te Gyor, që mban vendin e 9-të aktualisht, aktivizohen edhe edhe dy shqiptarë të tjerë, Eneo Bitri dhe Albion Marku.
Lajmi i “Panorama Sport” është konfirmuar pak minuta më parë edhe nga klubi i Teutës përmes një postimi në rrjetet sociale.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













