EKSKLUZIVE/ Te Partizani e thërrasin “Mesi”, rrëfimi i Hjumen: Më duhej kohë të ambientohesha, goli në derbi ishte i veçantë (E PLOTË)
Rouen Hjumen u afrua me bujë te Partizani duke u zyrtarizuar më 12 gusht. Futbollisti i përfaqësueses së Afrikës së Jugut e mori gradualisht vendin e titullarit.

Gjashtë ndeshjet e fundit i ka nisur nga fillimi. Golin e tij të parë me të kuqtë e shënoi në derbin ndaj Tiranës ku edhe i hapi rrugë fitores. Shokët e skuadrës preferojnë që ta thërrasin “Mesi” në stërvitje, ndërsa vetë Hjumen tregon për “Panorama Sport” se është një tifoz i argjentinasit. 24-vjeçari nuk e fsheh besimin te Partizani, ndërsa në prag është ndeshja delikate me Egnatian. Hjumen tregon për gazetën se si po punohet te “demat” gjatë kësaj kohe.
Si po shkon kjo eksperiencë e re në Shqipëri?
Përvoja ime ka qenë shumë e mirë deri tani. Është shumë ndryshe nga vendi nga vij unë. Kultura, industria e futbollit dhe mënyra se si bëhen gjërat, por kjo është normale kur zhvendosesh në një vend të ri. Në përgjithësi, ka qenë një përvojë pozitive dhe po e shijoj.
Goli i parë me Partizanin erdhi në derbin me Tiranën dhe ishte vendimtar. Çfarë peshe ka për ju ai moment?
Ai moment më dha shumë vetëbesim. Shënimi i një goli kaq të rëndësishëm në një ndeshje të madhe është i veçantë për çdo lojtar dhe të bën të duash ta përjetosh përsëri atë moment. Më motivon të vazhdoj të punoj shumë dhe të kontribuoj në çdo ndeshje.
U afruat në gusht, por shpërthimi erdhi më vonë. A ju duhej kohë për t’u përshtatur me Superioren? Çfarë ndryshimesh keni gjetur në krahasim me Afrikën e Jugut?
Po, patjetër që kisha nevojë për kohë për t’u përshtatur. Kampionati këtu është shumë më fizik dhe më i shpejt krahasuar me Afrikën e Jugut. Intensiteti është më i lartë, kështu që kisha nevojë për pak kohë për t’u përshtatur me ritmin dhe kërkesat e Superiores.
Partizani po bën mirë dhe mund të synojë për më tepër. Si e shikoni skuadrën në këtë fazë të kampionatit dhe deri ku mund të shkojë?
Për momentin, po bëjmë mirë dhe po përmirësohemi me çdo ndeshje. Po korrigjojmë gjërat që nuk funksionuan në fillim të sezonit dhe po rritemi si ekip. Fokusi ynë është që ta marrim ndeshje pas ndeshje, të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje dhe të përfundojmë sa më lart të jetë e mundur. Futbolli është i paparashikueshëm, por nëse vazhdojmë të bëjmë gjërat e duhura, besoj se mund të arrijmë edhe më shumë.
Përpara është Egnatia, një kundërshtar direkt. Çfarë ndeshje prisni?
Egnatia është një ekip shumë i mirë, pa dyshim. Është e vështirë të parashikohet saktësisht se si do të shkojë ndeshja. Nga ana jonë, ne po përgatitemi shumë mirë. Ne mezi presim sfidën dhe jemi gati të masim forcat.
Vlerësimi juaj në tregun e “Transfermarkt” është më i larti në Superiore. A iu ka shtuar kjo presionin?
Jo, jo realisht. Në fund të fundit, është vetëm një vlerësim. Vlerësimet nuk e luajnë futbollin. Ajo që ka rëndësi është ajo që ndodh në fushë.
Jeni rikthyer në Europë pas eksperiencës në Afrikën e Jugut. Çfarë do të thotë Partizani për karrierën tuaj?
Partizani është një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time. Më jep mundësinë të rritem si lojtar, veçanërisht duke u përshtatur me një stil të ndryshëm futbolli. Kjo përvojë është shumë e rëndësishme për zhvillimin tim dhe të ardhmen time.
Shokët e skuadrës ju thërrasin “Messi” në stërvitje. Jeni tifoz i argjentinasit?
Po, jam një tifoz i madh. Do të doja të bëja gjërat që bën ai në fushë.
Ku mendon se mund të rriteni më shumë në lojën tuaj dhe në cilin pozicion ndiheni më mirë në fushë?
Mendoj se mund të rritem më shumë duke përmirësuar mbajtjen e topit, duke e humbur më pak topin. Kjo është diçka në të cilën përqendrohem vërtetë, sepse nëse mund ta përmirësoj këtë, mund të krijoj edhe më shumë shanse për ekipin. Sa i përket pozicionit, kam luajtur në shumë role dhe ndihem rehat kudo që më nevojitet. Gjithmonë jap më të mirën time, megjithëse më pëlqen të luaj si mesfushor ofensiv, qoftë si numër 10 apo 8.
A keni një premtim për tifozët? Cili është objektivi juaj personal deri në fund të sezonit?
Premtimi im për tifozët është se pavarësisht gjithçkaje, ne gjithmonë do të luftojmë për stemën dhe do të mbrojmë krenarinë e Partizanit në fushë. Qëllimi im kryesor është që ekipi të përfundojë sa më lart të jetë e mundur. Personalisht, dua të kontribuoj në këtë sukses me gola, asiste dhe performanca të forta.
EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL













