EKSKLUZIVE/ Stoli i Flamurtarit, trajneri që shiti Partizani merr ofertën konkrete! Edhe dy ish-milanistë në garë
Ankandi për trajner në Vlorë mbetet i hapur, ku për momentin janë disa emra që lakohen si kandidatë të mundshëm. Nuk është vetëm Qatip Osmani. Flamurtari ka hyrë në bisedime edhe me ish-trajnerin e Partizanit. Bëhet fjalë për Zoran Zekiç. 51-vjeçari kroat ka marrë një ofertë konkrete nga drejtuesit e klubit.

Ai ka një karrierë të gjatë si trajner. Ka drejtuar skuadra si: Sherif Tiraspol, NK Osijek, Diosgyor, Slaven Belupo. Në sezonin e fundit, 2024-2025, kroati ka qenë në drejtimin e boshnjakëve të FK Sarajevo. Aventura e parë në Shqipëri e Zoran Zekiç ka qenë te Partizani në sezonin 2023-2024. Por ai u largua nga Partizani për të ndihmuar skuadrën e tij të zemrës Osijekun në Kroaci, për ta kthyer atë mes pretendenteve për titullin.
Si për çudi, ai u shkarkua në majin e vitit 2024, pas një vendimi që u mor nga drejtuesit vetëm një ditë pasi Osijeku fitoi 2-0 ndaj Rijekës, që luftonte për titullin deri pak javë më parë dhe praktikisht i siguroi klubit pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Trajneri Zoran Zekiç, që Partizani e shiti për 100 mijë euro tek Osijeku, tashmë ka dalë si një kandidat i mundshëm për të drejtuar Flamurtarin sezonin e ardhshëm në Superiore.
KANDIDATËT PËR STOLIN – Në një kohë që ende nuk është vendosur asgjë për stolin, pas vendimit të klubit për të mos zyrtarizuar Artim Pollozhanin për sezonin e ri, në Vlorë po shqyrtohen disa kandidatë për stolin. Qatip Osmani ishte emri i parë që doli në skenë, ndërsa ish-trajneri i Vllaznisë mbetet një kandidatë potencial. Së fundmi, kanë dalë në skenë edhe disa emra të tjerë. Në klub po përflitet edhe një rikthim të ish-trajnerit vlonjat, Gentjan Mezani, që arriti suksesin këtë sezon duke mbajtur Bylisin në Superiore.
Një tjetër që ka dalë në vitrinë është edhe ish-trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti. Lista nuk mbyllet me kaq, pasi zëra apo sponsorizime merkatoje, në lojë fusin edhe dy ish-milanistë për stolin e Flamurtarit, Kristian Broki dhe Masimo Odo.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













