EKSKLUZIVE/ Starova: Partizani më komod, te Tirana të tregohen burra! Derbit nuk i bie rëndësia as te Fusha e Zezë…
Nëse ka një njeri që meriton të komentojë para derbit, është Sulejman Starova, ish-protagonist i të dyja ekipeve si në fushë, ashtu edhe në pankinë.

“Bobi”, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, tregon për situatën e të dyja ekipeve dhe gjendjen që i gjen derbi. Trajneri sheh Partizanin disi më në situatë komode sa i përket renditjes dhe faktit që luan në shtëpi, por nuk e mohon shansin që Tirana të fitojë.
Profesor, luhet derbi, kush është skuadra që ju bind më shumë para kësaj sfide?
Është derbi, nuk ka lidhje se kush bind. Kur flasim për derbin, duke iu referuar së kaluarës dhe historisë, nuk ka favoritë. E kemi thënë dhe kjo vazhdon të vërtetohet vazhdimisht. Nuk ka të bëjë as renditja, se kush është para e kush mbrapa. Atmosfera në stadium kam besim se do ta bëjë të garantuar gjysmën e spektaklit. Këto janë karakteristikat e derbit.
Luhet në “Arenën e Demave” në orën 13:30. Si mendoni se ndikon fakti që luhet në një stadium të vogël, me fushë sintetike dhe në drekë?
Në këtë rast hiqet ajo atmosfera e të luajturit natën dhe me drita, që krijon një tjetër situatë. E kam vënë re edhe në ndeshje të tjera. Sa i përket stadiumit, derbit nuk i bie rëndësia edhe sikur të luhej te Fusha e Zezë (ish-21 Dhjetori), sepse është derbi Partizani-Tirana. Nuk do të jenë 12 apo 16 mijë veta, por do të jenë 4 mijë, ama edhe në një stadium aq të vogël dhe të mbushur plot e për plot, e jep efektin e vet. Është diçka e rrallë, sepse nuk kemi parë ndonjëherë derbi të tillë.
Partizani është komod në renditje, por gjatë janarit ka pasur largime të rëndësishme dhe ardhje të shumta, kryesisht të huaj. Si i shihni “demat” para derbit?
Nga ana morale nuk është keq, sepse thuajse e ka siguruar pjesëmarrjen në katërshe. Nuk është në formën maksimale, por pres që kjo të ndodhë, pasi edhe kohën e ka plotësisht në dispozicion. Largimi i katër titullarëve nuk është gjë e vogël, kanë ardhur lojtarë të tjerë, që duan kohën e vet. Mbetet për t’u parë sesa do t’ia dalë të rrisë nivelin dhe të kthehet edhe te fitorja, sepse u bë disa javë që nuk po ia del.
Si e shihni Partizanin në raport me tre rivalët e tjerë për titullin?
Të paktën për nga mënyra e lojës, për momentin nuk e shoh situatën të barabartë, pavarësisht pikëve, ku janë mjaft ngushtë. Shoh një rritje në lojë te Vllaznia pas rikthimeve të lojtarëve të shumtë që i ka pasur të dëmtuar. Egnatia gjithashtu ka ardhur në rritje në lojërat e saj. Dinamo, pavarësisht hapit fals me Skënderbeun, është gjithashtu në rrugë të mbarë. Në ndeshjen e fundit Skënderbeu u shfaq një skuadër krejt tjetër, sepse edhe merkatoja i ka ndryshuar korçarët dhe e kapën si në befasi Dinamon.
Prisnit që Partizani me Veselinoviç të krijonte një stil më unik të lojës? Duket më shumë një skuadër që fiton nga gabimet e rivalit…
Nuk krijohet stili menjëherë. Plus nuk e krijon dot trajneri stilin në një moment kur i kanë larguar tre apo katër lojtarë kryesorë. Ai Partizan që kemi parë të gjithë, ishte i ndikuar nga lojtarët kryesorë që janë larguar. Tani po plotësohen, por janë mes dilemave, sepse kanë ardhur shumë lojtarë, por trajneri kërkon ata të stilit të vet. Nuk jam në brendësi se çfarë ndodh, trajneri sigurisht që ka përgjegjësinë e vet, por unë për momentin e “zhvesh” krejtësisht sa i përket kësaj ngarkese. Logjika është se ai do kohën e vet, që në fakt e ka. Ka raste që lojtarët “ngjisin” direkt. Te Skënderbeu për shembull, kanë ardhur shumë lojtarë dhe shohim titullarë që futen si zëvendësues. Kanë dhënë efekt të ardhurit. Partizani duhet të tregohet i kujdesshëm, trajneri do kohën e vet që të bëjë edhe ai mënyrën e vet të lojës.
Sa i përket shifrave, Partizani ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Është kjo një pikë ku ata duhet të mbështeten në pjesën e mbetur të sezonit?
Unë shoh kontradikta në këtë aspekt. Shifrat flasin për një mbrojtje të mirë, por nuk e tregojnë të vërtetën 100%, sepse në Laç pashë disa gabime që mund ta lejonin kundërshtarin të shënonte. Forcën Partizani e ka te grupi, sepse skuadra merr pjesë e gjitha në fazën defensive dhe kjo ndihmon repartin. Mirëpo ka edhe koston e vet, sepse krijohen deficenca në fazën ofensive. Siç e patë, edhe kur Laçi ishte me 10 lojtarë dhe nuk u mbyll e gjitha mbrapa, Partizani nuk arriti të shënojë dhe të rrezikojë sa duhej. Nuk ka lidhje nëse luan me 4 apo me 3 qendërmbrojtës. Mendoj se është e vërtetë që lojtarë si Janjeva duhet të rriten dhe të sulmojnë më shumë drejt fundores, por skema nuk ndikon te paraqitja e skuadrës. Nuk ka lidhje, ajo është vetëm fillimi i lojës dhe ndryshon me dhjetëra herë gjatë ndeshjes. Skuadra merr forma të panumërta gjatë lojës. Sapo nis ndeshja, skema transformohet, sidomos sot, kur skuadrat mbrojnë me të gjithë lojtarët dhe nuk të lejojnë në asnjë moment në superioritet numerik.
Po Tirana, ka shansin të bëjë kthesën në këtë derbi?
Kthesa nuk bëhet brenda sekondës. Derbi nuk parashikohet kurrë, siç e thamë më lart. Kur themi kështu, nuk kemi çfarë shtojmë. Është e vërtetë se gjendja e Tiranës është kritike, por kemi thënë edhe se Superiorja nuk ka diferenca të mëdha. Siç pamë, Korça surprizoi Dinamon. Edhe Tirana mendoj se i ka të gjitha mundësitë. Bardheblutë kanë kundër presionin, kurse kundërshtari ka më shumë “lukse”. Partizani është në fushën e vet, ka renditjen në favor, nuk e ka për jetë a vdekje. Tirana e ka më detyrim ta fitojë ndeshjen për të dalë kaluar krizën. Varet sesa burra do të tregohen ata lojtarët, sepse edhe lojtarët e rinj rriten në këto vështirësi, bëhen edhe ata burra.
Po rikthimi i Shkëmbit te Tirana, çfarë tregon?
Nuk di të them, por ikjet dhe ardhjet nuk janë gjëra të mira. Por këto janë kushtet tona.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













