EKSKLUZIVE/ Starova ngre Kërnajën në elitë: Partizani luan futboll modern! Mbijetesa? Nuk jam magjistar (E PLOTË)
Partizani është një nga skuadrat më në formë të Kategorisë Superiore, me të kuqtë që kanë regjistruar gjashtë rezultate pozitive radhazi, duke koleksionuar pesë fitore dhe një barazim së fundmi ndaj Vorës.
Rezultate që kanë ndihmuar skuadrën të “prekë” vendin e katërt, duke krijuar një distancë prej katër pikësh me Dinamon ndjekëse. Në lidhje me të ecuri të “Demave”, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli një personazh si Sulejman Starova, që ambientin e Partizanit e njeh shumë.
Starova, në analizën e tij vlerësoi maksimalisht trajnerin Oltijon Kërnaja si njeriun që “zgjoi” skuadrën dhe arriti të ndërtonte një grup. Ndër të tjera, Starova shtoi se një nga arsyet e këtyre performancave pozitive është rikuperimi nga dëmtimet i disa prej lojtarëve kryesorë ndërsa në fund komentoi edhe garën e ethshme të mbijetesës duke veçuar Vorën si skuadrën që do të mbijetojë në elitë.
Si ju është dukur Partizani në këto ndeshjet e fundit, skuadra ka pësuar një rritje të dukshme në përformancë. Cilat janë arsyet e këtij ndryshimi te të kuqtë?
Një nga arsyet kryesore është rikthimi i të gjithë titullarëve që kanë qenë të dëmtuar, por mbi të gjitha edhe mënyra e lojës. Partizani tashmë është shumë i shpejtë në tranzicione si në ato pozitive ashtu edhe në ato negative. Meritë e trajnerit Oltijon Kërnaja që ka bërë grupin së bashku dhe tani Partizani është një skuadër që ka harmoni. Ekipi është përmirësuar ndjeshëm edhe në fazën difensive sepse mbron si grup dhe sulmon si grup.
Këto janë tiparet e futbollit modern, pra dominimi i lojës. Në fundin e takimit, Partizani del gjithnjë më mirë se kundërshtari me statistika, dhe kjo është një veçori e futbollit modern që të diktosh lojën nëpërmjet zotërimit të topit. Është një skuadër shumë e shpejtë dhe lojtarët po bëjnë shumë mirë dhe me gjithë rezultatet pozitive edhe atëherë kur nuk mendohej, Partizani ia ka dalë shumë mirë. Në ndeshjen e fundit ndaj Vorës fitoi edhe një pikë ndaj rivalit direkt si Dinamo, morali është shumë i mirë.
Si e shikoni përballjen e kësaj fundjave të Partizanit me Teutën?
Partizani ka një takim të fortë me Teutën sepse durrsakët janë një skuadër që ka bërë shumë mirë që në fillimin e sezonit, janë një skuadër shumë e fortë duke luajtur në grup. Sigurisht që edhe ata kanë problemet e tyre, megjithatë edhe ata në këtë takim vijnë mirë në aspektin psikologjik sepse fituan ndaj Dinamos në kryeqytet dhe pritet një superndeshje mes tyre dhe Partizanit.
A është Partizani një skuadër mjaftueshëm e fortë edhe për të pretenduar titullin apo është shumë për t’ia kërkuar këtë objektiv në këtë sezon?
Nëse fillojnë ekipet e tjera që të lejnë pikë dhe të fitojë Partizani atëherë është e mundur sepse janë gjithë ato pikë në lojë. Por, besoj se nuk kanë luajtur mendsh të tjerët që të humbin të gjitha ndeshjet. Partizani nuk e ka mendjen te titulli, Partizani e ka mendjen te ndeshja e radhës, ajo është më e rëndësishmja. E vërteta është se skuadra e ka vetë në “dorë” fatin e saj për vendin e katërt, i ka shkuar katër pikë para Dinamos, ka edhe ndeshje tjetër direkte mes tyre.
Për kampion, përderisa i lejon matematika edhe mund ta synojnë. Është edhe formula e “Final Four” me përgjysmimin e pikëve dhe këtu është edhe bukuria e kampionatit, me këtë formulë jo vetëm Partizani, por edhe Dinamo e Teuta ende kanë shanse për të shkurtuar diferencën e pikëve me rivalët dhe për të synuar maksimumin në fundin e sezonit. Kështu, edhe Teuta mund të dalë kampion. Janë skuadra të angazhuara për të plotësuar objektivat e tyre. Teuta nëse fiton me Partizanin, atëherë edhe asaj do t’i hapej “oreksi” për në katërshe.
Sa ndikim ka merkato e janarit dhe rritja e konkurrencës brenda skuadrës në këto performanca të Partizanit?
Një arsye e fortë së pari janë rikthimet e lojtarëve të dëmtuar pasi Partizani nuk është se i ka blerë të gjithë lojtarët në merkaton e janarit. Por, kanë ditur të godasin në merkato, me Sidiben kanë goditur në mënyrë të shkëlqyer. Është një lojtar i cili erdhi dhe është përshtatur menjëherë, duket sikur ka dy vite që luan me këtë ekip. Është një lojtar që bën diferencën, është një lojtar shumë i shpejtë, lojtar që luan mirë në të dyja fazat e lojës dhe ka tërhequr shumë vëmendjen. Sigurisht që ka një përqindje të madhe në sukseset e Partizanit ky lojtar, por duke u plotësuar skuadra si dhe duke shtuar afrimet e tjera si Qaka e Murataj, përfitojnë edhe lojtarët e tjerë të organikës.
Është rritur shumë Hjuman, ai aty ka qenë edhe më parë, ka vuajtur edhe problemet fizike, por kur rritet kualiteti në skuadër, fillojnë të duken edhe lojtarët e tjerë. Qaka e Murataj janë lojtarë që po bëjnë mirë, Murataj është një lojtar që ka qenë aty më parë te Partizani. Është një lojtar me shumë eksperiencë, është një lojtar trajneri. Është një lojtar që ka grintë dhe kështu plotësohet skuadra, të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin, edhe rezultatet pozitive i bëjnë mirë të gjithëve. I lexohet Partizanit që ka harmoni dhe që janë bërë grup.
E cekët në fillim edhe trajnerin Kërnaja, sa vendimtar ka qenë ai në të gjithë këtë kthesë të Partizanit këtë sezon?
Kërnaja ka bërë më mirë se çdo njeri tjetër nga filimi deri tani. Kur Kërnaja e ka marrë Partizanin, ndeshjen e parë e ka drejtuar Partizanin në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe në atë periudhë, Partizani ishte për të rënë nga kategoria. Unë flas me superlativa sepse është një trajner që ka bërë “UEFA-n Pro” me mua, ka qenë nga studentët më të mirë të kursit. Aty ka qenë një grup i mirë, ka qenë edhe Çela i Pogradecit, Kuli, apo edhe Zabaleta. Ishte një grup simpatik dhe Kërnaja është një nga ata që është dalluar si një trajner me shumë kualitet dhe i perspektivës, kështu që merita është 100% edhe e trajnerit.
Është një trajner i elitës, ka shumë njohuri për futbollin modern dhe dominimin e lojës nëpërmjet zotërimit të topit, të punosh në mënyrë të vazhdueshme për tranzicionet që Kërnaja e bën shumë mirë qoftë tranzicionin pozitiv edhe atë negativ. Është një trajner i kompletuar. Kërnaja di të bëjë edhe videoanalistin shumë mirë, Kërnaja i bënte stërvitjet teknike me animacion sepse është i aftë edhe në këtë drejtim. Flas me kompetenca sepse ka kaluar nga duart e mia, është shkolla e futbollit dhe ka shumë trajnerë që i kemi nxjerrë dhe promovuar ne.
Në përfundim një mendim për garën e mbijetesës… Tirana, Flamurtari, Bylisi dhe Vora të përfshira, kush mendoni se do t’ia dalë të shpëtojë?
Nuk jam magjistar që ta gjej (qesh), sepse kam respekt për të gjitha skuadrat që janë të përfshira në këtë garë. Vorën do ta veçoj pak nga të tjerat sepse ajo skuadër ka pasur shumë dëmtime dhe në gjysmën e parë po të kujtojmë, ka qenë e konsideruar si hirushja e kampionatit. Fitorja me Partizanin do t’i bënte shumë mirë, por pikët iu “ikën nga duart” në sekondat e fundit. Them që e kanë skuadrën dhe shpëtojnë. Nga ana tjetër, Tirana ka në skuadër disa lojtarë që i kanë zili edhe të tjerët dhe që kanë shumë kualitet siç është mbrojtësi i majtë Ndong, siç është Kobiljar, Tabeku. Ka edhe disa lojtarë të tjerë që bëjnë dallim, por fatkeqësia e Tiranës është që i ka jashtë formë siç është Xhixha. Janë lojtarë që rrezikojnë tërheqje muskulore, dëmtime ngaqë nuk kanë pasur minuta.
Kjo është një nga arsyet që ka vuajtur Tirana. Edhe ka marrë shumë lojtarë nga fillimi i kampionatit, merr rezultate negative dhe menjëherë “fut dorën” në xhep Riti i shkretë. Megjithatë, Tirana e ka vetë në “dorë” fatin e saj sepse i ka ndeshjet direkte dhe nëse merr maksimumin ia del. Nëse do të bëja një dallim mes këtyre skuadrave, mendoj se Flamurtari është më poshtë se të tjerat. Është një skuadër që i mungon cilësia e sulmit edhe pse ka një lojtar të mirë dhe shumë interesant në majë të sulmit si Maksuti, por në përgjithësi si skuadër ka vështirësi të shkoj te rruga e rrjetës.
Edhe Ribaj është një trajner që e kemi ne në kursin tonë dhe ka nisur të bëjë mirë me Flamurtarin, por humbja e fundit me Elbasanin mund të ndikojë shumë sepse të tjerët kanë marrë pikë. Ka nisur numërimi mbrapsht dhe humbjet, ashtu si edhe fitoret vlejnë dyfish, për mirë apo për keq qofshin dhe që ndikojnë shumë në moral dhe psikologjike.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













