EKSKLUZIVE/ Skandali në Shkodër, presin një turk për të zgjidhur kërcënimet. Zbulohet shkresa drejtuar… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2019 | 22:38

EKSKLUZIVE/ Skandali në Shkodër, presin një turk për të zgjidhur kërcënimet. Zbulohet shkresa drejtuar… (E PLOTË)

Klubi Vllaznia është kthyer në një skutë ku të fortët gjejnë strehë, duke bërë çfarë të duan. Historia e kërcënimit dhe presioneve që ka surprizuar shumëkënd, nuk është diçka e re në Shkodër. Kjo histori ka nisur kohë më parë, por që u shpeshtua në kohën e trajnerit Armando Cungu. Mesazhet dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj Cungut, erdhi një ditë që u bënë të zakonshme, aq sa të fortët zbritën me armë në fushën e stërvitjes apo edhe dhomat e zhveshjes.

firat

 

Duke menduar se do të vinte me forcën e trajnerit kampion dhe peshën e një emri të njohur në kryeqytet, Ernest Gjoka mendoi se do të dilte në Kupat e Europës. Shumë shpejt kuptoi se është një mision i pamundur, ndërsa edhe ndaj tij nisën kërcënimet. Ai u mor peng, ndërsa arriti puna të tentojnë edhe ta therin me thikë pas një seance stërvitore, siç vetë ishtrajneri pretendon. Stafetën pas tranzicionit disaditor e merr Hasan Lika.

I njohur për qetësinë dhe natyrën paqësore, Hasan Lika u hap rrugë të gjithëve dhe të fortët gjejnë veten te Vllaznia, pa pasur nevojë që të shkojnë në veprime ekstreme ndaj tij.

canaj-vllaznia-696x430

RASTI I FUNDIT

Largimi në Amerikë i Likës bën që Agim Canaj të gënjehet, duke menduar se është Vllaznia që kishte lënë dikur, kur luftonte për titullin kampion. Nuk kalojnë as dy ditë dhe me miqtë e afërt Canaj e thotë troç: “Më kanë thënë se mund të ketë ndonjë problem që do e zgjidhim, por më paskan gënjyer. Nuk e kam ditur asnjëherë se është kaq keq”. Këtë zhgënjim Canaj e shprehu pasi mori kërcënimin e parë para ndeshjes me Besëlidhjen, por edhe gjatë zhvillimit të saj.

shkresa

Dy ditë më pas, trajneri Canaj merr kërcënimin e dytë serioz. Këtë herë, pak orë para stërvitjes i vihen duart në fyt. Kaq duhet që Canaj fillimisht të dorëhiqet. Fakti që këtë herë krimi dyshohet se ka lidhje me krerët e bashkisë, bën që të mos ketë asnjë reagim. Duhet të kalonin më shumë se 24 orë, që klubi Vllaznia në mënyrë qesharake të reagojë me një njoftim të shkurtër, ku moszhvillimi i stërvitjes për dy ditë cilësohet thjesht si një gjest antisportiv.

Trajneri Canaj është gjysmë i bindur se këto histori nuk do të përsëriten më dhe ka bërë një hap pas, duke dashur t’u besojë krerëve të bashkisë se do ta pastrojnë klubin nga të fortët. Drejtuesit, duke mos pasur forcën e duhur që t’ia dorëzojnë në dorë, shpërndajnë një shkresë zyrtare të klubit dorë më dorë, si një trakt i kohës së diktaturës.

Vllaznia

Ndërsa Vllaznia është në ditët e saj më të këqija, drejtori turk Engin Firat, ashtu siç ka rënë dakord që në fillim kur nënshkroi kontratën, ishte në Turqi për punë personale. Në shkresën e dorëzuar nga klubi Vllaznia lojtarëve problematikë shkruhet: “Derisa stafi teknik të marrë një njoftim, nuk do të paraqiteni në stërvitje.

Drejtuesit teknikë do të shqyrtojnë me objektivitet ankesat e paraqitura, pasi momentalisht nuk ndodhen në Shqipëri”. Pra, e thënë më shkoqur, klubi Vllaznia në gjithë këtë situatë ka shpëtimtar të saj drejtorin teknik, turkun Firat, për ta zgjidhur këtë situatë të kërcënimit të trajnerit, dy herë brenda 3 ditëve, në një kohë që Canaj nuk kishte mbushur javën në Shkodër. Pra, Vllaznisë do t’ia zgjidhë hallet një turk, që është me kohë të pjesshme në Shkodër si drejtori Firat. Të vetmit që mund t’i japin zgjidhje janë drejtuesit e lartë të Bashkisë Shkodër.

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL