EKSKLUZIVE/ “Shqipëria e ka finale me Serbinë”, Aliji: Rivalët për titull? Dinamo flet vetëm në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2025 | 10:11

EKSKLUZIVE/ “Shqipëria e ka finale me Serbinë”, Aliji: Rivalët për titull? Dinamo flet vetëm në fushë

Pas aventurës në Europë, Dinamo u rikthye në kampionat, ku në ndeshjen e parë arriti të fitonte 3-1 ndaj Vllaznisë, teksa takimi me Teutën u shty dy herë si shkak i pushimit të Kombëtareve.

naser aliji

E pikërisht te kuqezinjtë, ishte mbrojtësi i Dinamos, Naser Aliji i cili prej vitesh ka kontribuuar me kuqezinjtë dhe se fundmi, ka rifituar vendin e tij në ekip. Mbrojtësi i Dinamos, foli për “Panorama Sport”, ku veç sezonit të Dinamos, ai analizoi edhe ndeshjet e shkuara të Kombëtares, si edhe transfertën në Serbi.

Sezoni i dytë në Shqipëri. Sa je ambientuar me futbollin shqiptar?

Të them të drejtën, fillimisht kisha pak problem me të gjitha gjërat, derisa jam ambientuar, por për momentin jam shumë mirë këtu, jam shumë i lumtur si po shkon i gjithë klubi, i gjithë ekipi po shkon mirë. I kemi kushtet shumë të mira.

Çfarë pritshmërie kishe për kampionatin shqiptar? A është siç e prisje?

Të them të drejtën s’jam marrë shumë me futbollin në Shqipëri, domethënë me kampionatin. Ka ekipe që janë pak a shumë në të njëjtin nivel. Normal që kam luajtur edhe në kampionat më të fortë dhe që është më vështirë, por nuk ka ekipe që mund t’i mundësh lehtë.

Një sezon i parë me trofe te Dinamo. Cili është objektivi real i Dinamos këtë sezon?

Shiko, çdo ndeshje e ardhshme për ne është më e rëndësishme, çdo ndeshje vlen 3 pikë dhe në fund shpresoj të na çojë në “Final 4” dhe atje, ekipi që është më i fortë, shpallet kampion. Me gjithë ato investime që ka bërë presidenti dhe klubi ynë, ne duhet të pretendojmë për maksimumin!

Megjithëse kanë kaluar vetëm dy javë nga nisja e kampionatit, cili mendon se është rivali direkt i Dinamos?

Për rivalin direkt, mesa po shoh unë nëpër komente e intervista thuajse çdo ekip ka objektivin të bëhet kampion, por ne e kemi një ekip me pak fjalë dhe shumë punë. Kampionati është i gjatë dhe ne do të flasim me punën në fushë. Rivali direkt? Janë ata që janë gjithmonë aty, Egnatia, Vllaznia, Partizani.

Ktheheni nga Kombëtarja pas 2 rezultateve pozitive. Sa shpresë i japin këto ndeshje Shqipërisë?

Ishte shumë e rëndësishme që morëm 3 pikë kundër Letonisë. Ishte ndeshje e vështirë, e pamë dhe me Gjibraltarin që çdo ndeshje është bërë shumë e vështirë nuk është më si më herët që shkon dhe mund ekipet e dobëta 6-0, 7-0. Në pamë atë që ndodhi në Norvegji-Moldavi, 11-1. Ajo ndodh ndoshta një herë. Shpresojmë të na japë shumë shpresa kjo ndeshje dhe të jemi shumë optimistë me ndeshjen ndaj Serbisë.

Për pak javë, luani në Serbi! Si e pret këtë ndeshje?

Ndeshja me Serbinë është shumë e rëndësishme pasi është si finale për ne. Jo se është Serbia, por është rivali ynë direkt për vend të dytë dhe shpresojmë qe të kthehemi me 3 pikë. Nga ana politike nuk duhet ta bëjmë më të madhe se është. Kryesore është që këto janë rivalët për vend të dytë dhe ne shpresojmë dhe besojmë që do t’i marrim ato 3 pikë atje.

 ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL