EKSKLUZIVE/ Shënoi dy supergola në derbi, Qardaku është i bindur për objektivat: Duhet të fitojmë “titujt e radhës” si fillim (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2025 | 16:49

EKSKLUZIVE/ Shënoi dy supergola në derbi, Qardaku është i bindur për objektivat: Duhet të fitojmë “titujt e radhës” si fillim (E PLOTË)

Eridon Qardaku ishte protagonist në fitoren 6-2 në derbi ndaj Tiranës, duke shënuar dy gola mjaft të bukur. Me fanellën blu, sulmuesi po luan si mesfushor, ku në fakt po bën paraqitje shumë të mira dhe ka fituar besimin e trajnerit Ilir Daja.qardakuNë një intervistë për “Panorama Sport”, Qardaku u shpreh se është i lumtur për golat e shënuar në debri, teksa shtoi se me rëndësi janë fitoret e skuadrës. Sa i përket objektivit, Qardaku pranoi se mbetet titulli kampion, por duke i marrë të gjitha ndeshjet një nga një dhe duke respektuar kundërshtarët.

Eridon, një fitore historike në derbi. Si ndiheni pas këtij suksesi dhe rezultatit 6–2?

Ndihemi shumë mirë. Përveç faktit që zhvilluam një lojë të mirë, na ngroh akoma më shumë rikthimi te fitorja. Gjithsesi jemi të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë me këtë ritëm fitoreje.

A e kishit imagjinuar që ndeshja do të përfundonte me atë rezultat?

Mendoj se e respektuam maksimalisht Tiranën, pavarësisht renditjes. Në fund të ditës po luanim me një emër të madh të futbollit shqiptar. Pikërisht ky respekt dhe serioziteti ynë na ndihmuan të zhvillonim një ndeshje të tillë.

Shënoni dy gola në atë fitore. Si ndiheni dhe a mendoni se këto gola ju kanë çliruar psikologjikisht?

Ndihem mirë. Më pëlqen të shkoj drejt portës edhe pse tani po luaj pak më i tërhequr. Ndihem i çliruar, sepse kam humbur disa raste të mira në ndeshjet e kaluara që mund t’i kishin sjellë pikë ekipit.

Ju pret një ndeshje delikate në Vlorë. Çfarë prisni nga kjo sfidë?

Ashtu si me Tiranën, edhe për Flamurtarin kemi respekt maksimal. Na pret një sfidë e bukur dhe e gjitha për t’u luajtur. Gjithçka do të vendoset në fushë.

Dinamo shpesh ka vuajtur mungesën e golit këtë sezon. Çfarë nuk ka shkuar si duhet?

Ndonjëherë në futboll themi “nuk po ecën”. Nuk mendoj se ka pasur ndonjë problem të madh, përveç faktit se duhet të ishim pak më të qetë përpara portës. Cilësitë i kemi dhe i njohim mirë.

Pozicioni juaj natyral është sulmues, por së fundmi po luani si mesfushor. Si ndiheni në këtë rol?

Të them të drejtën, nuk kam problem me pozicionin. Kam luajtur pothuajse në të gjitha rolet. Edhe në pozicionin aktual ndihem shumë mirë, pasi mjafton të ndjekësh detyrat taktike dhe të jesh i vëmendshëm, dhe gjithçka bëhet më e lehtë.

A keni një objektiv personal përveç objektivave të skuadrës?

Dua të fokusohem vetëm te ndeshjet e radhës dhe te fitorja e tyre. Për gjithçka tjetër besoj se çdo gjë vjen në kohën e duhur.

Cili ekip ju ka vënë më shumë në vështirësi këtë sezon?

Për të qenë i sinqertë, jo për egoizëm, por nuk ka pasur asnjë ekip që na ka dominuar me lojë. Siç e përmenda, kemi pasur probleme me finalizimin, por lojën e kemi dominuar në shumicën e javëve. Shpresojmë ta vazhdojmë kështu

A është gati Dinamo të luftojë për titullin kampion?

Unë “titullin e radhës” e shoh si ndeshjen e radhës. Nëse fitojmë sa më shumë nga këta “tituj të vegjël”, atëherë arrijmë edhe titullin e madh. Cilësitë dhe kushtet i kemi; duhet përqendrim në çdo ndeshje dhe në fund shpresoj shumë ta arrijmë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL