EKSKLUZIVE/ Sezon “thriller”, Bushati në Serinë A1 me Skafatin: Kur je lojtar e ke vetë topin në dorë, si menaxher…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2026 | 12:25

EKSKLUZIVE/ Sezon “thriller”, Bushati në Serinë A1 me Skafatin: Kur je lojtar e ke vetë topin në dorë, si menaxher…

Në vjeshtën e kaluar e mbylli me Federatën Shqiptare të Basketbollit, duke dhënë dorëheqjen nga roli i sekretarit të përgjithshëm, për tu rikthyer në Itali, në vendin ku ndërtoi të gjithë karrierën e tij në sportin e koshit.

WhatsApp Image 2026-04-29 at 10.49.31 Që në sezonin e tij të parë si menaxher i skuadrës Skafati, Franko Bushati ka realizuar goditjen e “kobrës”, duke u shpallur kampion në A2, për të shënuar menjëherë rikthimin në Serinë A1 të basketbollit italian. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Bushati rrëfen sezonin e suksesshëm si menaxher i ekipit italian, teksa pas një nisje të vështirë skuadra gjeti rrugën e duhur, me zgjedhjet e tij që rezultuan të goditura në shenjë.

“E kam fituar këtë kampionat si lojtar para 10 vitesh, madje në gjysmëfinale kam luajtur kundër Skafatit, kështu që është diçka vërtetë e bukur. Ma kujtuan edhe tifozët dhe tani mund të them që jam barazim, pasi atëherë fitoja me Breshian, ndërsa tani e kthyem trofeun në Skafati. Ishte një sezon shumë i vështirë, pasi Skafati kishte rënë vjet nga kategoria. Ishte një projekt 3-vjeçar për t’u kthyer në A1. Kur mbërrita këtu në tetor gjërat nuk ishin siç i priste presidenti dhe klubi, kështu që direkt bëmë disa ndërhyrje. Ndërruam trajnerin dhe një lojtar dhe sezoni ishte shumë i vështirë, pasi këtë edicion kampionati A2 ishte në një nivel mjaft të lartë, mjafton të përmendim skuadra si Verona, Fortitudo Bolonja, Brindisi, ne, Pezaro dhe shumë ekipe të tjera. Kur arritëm të firmosim me Frenk Vituçin, një trajner me 20 vite eksperiencë në Serinë A. gradualisht filluam të ngjisim shkallët dhe çdo javë ekipi përmirësohej. Më pas bëmë edhe dy ndryshime të tjera në grupin e lojtarëve dhe në atë moment gjetëm edhe formën tonë më të mirë”, shprehet fillimisht ish-basketbollisti i Kombëtares.

WhatsApp Image 2026-04-29 at 10.49.32

GARA ELEKTRIZUESE Fund-sezoni në A2 ishte shumë emocionues, duke dhuruar edhe një sfidë mes shqiptarësh, pasi Skafati kaloi në metrat e fundit Pezaron, skuadër që drejtohet nga një emër i madh si Spiro Leka. Bushati e përshkruan kështu pjesën finale të sezonit: “Nuk kemi qenë asnjëherë pretendentët kryesorë, pasi Pezaro i Spiro Lekës bëri një kampionat të shkëlqyer dhe ishin gjithmonë përpara në klasifikim, ndërsa ekipet tjera si Brindisi, Fortitudo po ecnin shumë mirë. Megjithatë, ne, javë pas jave, kishim bindjen që mund të arrinim në fund të sezonit për të luajtur për vendin e parë dhe për të kaluar direkt në Serinë A. Dy ndeshje nga fundi Pezaro u mund nga Rieti dhe ne arritëm të barazohemi, ndërsa më pas ndeshja e fundit ishte vërtetë një eksperiencë gati ‘traumatike’, sepse ne duhej të fitonim, por edhe Rimini ishte një ekip shumë i fortë. Pra, luanim gjithçka në Rimini dhe ia dolëm edhe pse ishte e vështirë deri në fund”.

LOJTAR APO DREJTUES I pyetur nëse është më e vështirë të fitosh si lojtar apo si drejtues, Bushati shprehet: “Si lojtar ke emocione të ndryshme dhe ke fatin që je në parket, le të themi e ke vetë topin në dorë, ndërsa nga jashtë si menaxher i ekipit mendoj që është më e vështirë. Pra mund të them se si menaxher vuan më shumë sesa si lojtar”. Ndërkohë për sa i përket të ardhmes, Franko deklaron: “Tani kemi festën që do të organizojmë këtë javë, pra na pret një javë feste dhe kur të mbarojmë do të mendojmë për të ardhmen. Ka qenë vërtetë një sezon shumë i vështirë dhe me shumë sakrifica, për shumë arsye. Kështu që le të festojmë fillimisht, më pas do të marr rreth 2 javë kohë për të menduar për të ardhmen”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL