EKSKLUZIVE/ Rustem Hoxha beson te kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës: Jemi Dinamo, përmbysim Skënderbeun në Korçë (E PLOTË)
Brenda këtij muaji Dinamo luan ndeshjen e tretë kundër Skënderbeut.
Në dy të parat nuk ia ka dalë t’i mundë korçarët, me të cilët nesër diskuton një biletë për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e Dajës ka përpara një malore goxha të fortë, pasi jo vetëm që duhet të fitojë, por të paktën me 2 gola diferencë, që të paktën të shkojë në shtesë, duke qenë se tri javë më parë në Elbasan u mund 0-2. Fitorja me Laçin në kampionat ka sjellë entuziazëm në kampin dinamovit, ku besimi për përmbysjen e madhe në Kupë është rritur ndjeshëm.
HOXHA – Garancia e bluve në këtë moment vjen nga prapavija. Dinamo nuk ka pësuar gol në tri ndeshjet e fundit dhe kjo ndodh për herë të parë këtë sezon. Siç thotë trajneri Ilir Daja, mbrohet si skuadër dhe sulmohet si skuadër, ndaj dhe merita është e të gjithëve, por në këtë rast lojtarët e mbrojtjes sigurisht që kanë bërë diçka më shumë se të tjerët. Rustem Hoxha, i rikthyer titullar pas dëmtimit që e la jashtë ekipit për shumë javë, thekson për “Panorama Sport” se Dinamo shkon e vendosur për t’u kualifikuar në Korçë.
“Patjetër që objektivi ynë mbetet kualifikimi në Kupë dhe kemi besim se do t’ia arrijmë qëllimit. Kemi respekt për Skënderbeun, e vlerësojmë si skuadër, por ne jemi Dinamo. Kemi potencialin për të bërë diçka vërtet të rëndësishme këtë sezon, të fitojmë një trofe. Na vjen keq që ndeshja e parë me Skënderbeun shkoi ashtu si shkoi, por asgjë nuk ka përfunduar dhe ne do të tentojmë përmbysjen në Korçë me të gjitha mundësitë tona.
Për fat të mirë, vijmë nga një fitore në kampionat, grupi është plotësuar dhe shkojmë me moralin e duhur në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Skuadra besoj se e ka kaluar atë momentin e ngërçit dhe kam bindjen se edhe në Korçë do ta themi fjalën tonë, siç e thashë që në fillim, me besimin se do të kalojmë në gjysmëfinale të Kupës”, është shprehur mbrojtësi durrsak, i cili luan sezonin e dytë me fanellën e Dinamos.
KAMPIONATI – Sa i takon Superiores dhe garës 4-she që po zhvillohet në “Final 4”, Hoxha shprehet se Dinamo ka mundësi për më mirë se vendi i 3-të që mban aktualisht. “Me fitoren me Laçin them se e kemi lënë pas atë momentin e vështirë, që në një sezon i ndodh çdo skuadre. Dinamo është gjithmonë aty, me pretendime për të marrë maksimumin.
Në javët që kanë mbetur do të përpiqemi ta përmirësojmë pozicionin tonë, gjithmonë duke u përqendruar të 90-minutëshi i radhës. Do të shohim javë pas jave, rëndësi ka që Dinamo ka një ekip me kualitet dhe të denjë për të fituar trofe. Fundi i sezonit do të na tregojë se çfarë do të kemi bërë, tani fokusi ynë është i gjithi te ndeshja e Korçës”, ka përfunduar Rustem Hoxha për gazetën.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL













