EKSKLUZIVE/ “Presidentët tanë shpesh sjellin këtë ‘llum’ trajnerësh”, Bejzade u përgjigjet akuzave të Longos për korrupsionin në kampionatin shqiptar: I kanë pëlqyer paratë që ka marrë këtu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2026 | 22:35

EKSKLUZIVE/ “Presidentët tanë shpesh sjellin këtë ‘llum’ trajnerësh”, Bejzade u përgjigjet akuzave të Longos për korrupsionin në kampionatin shqiptar: I kanë pëlqyer paratë që ka marrë këtu

“Kampionati shqiptar është më i korruptuari në botë. Marrëdhëniet mes klubeve dhe institucioneve të futbollit janë shumë të ndërlikuara.” Kjo deklaratë tronditëse, e dhënë për mediat italiane nga ish-trajneri i Kukësit, Flamurtarit dhe Teutës, Diego Longo, ka shkaktuar reagime të menjëhershme në ambientin sportiv shqiptar.

Bejzade

Një nga kundërpërgjigjet më të forta ka ardhur nga ish-sulmuesi dhe trajneri i njohur Skerdi Bejzade. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Bejzade është treguar tejet i ashpër ndaj teknikut italian, duke e akuzuar se po përdor akuza të rënda për të mbuluar paaftësinë dhe dështimet e tij profesionale në Shqipëri.

“Realisht jam i befasuar nga deklaratat e trajnerit italian. Unë dija që ai kishte drejtuar vetëm Teutën, por më pas mësova se paska qenë edhe te Kukësi e Flamurtari. Ky është momenti që të gjithë ne, si shqiptarë, duke nisur nga drejtuesit, trajnerët, lojtarët dhe çdo aktor i këtij sporti, të ngrihemi dhe të mbrojmë veten nga këto sulme”, u shpreh Bejzade.

Sipas tij, deklaratat e Longos nuk mund të merren seriozisht, pasi ai ka pasur disa eksperienca në Shqipëri dhe ka zgjedhur të rikthehet sërish, pavarësisht se, sipas fjalëve të tij, kampionati qenka “më i korruptuari në botë”.

“Nëse kampionati shqiptar do të ishte vërtet ashtu siç e përshkruan ai, mund të kishte zgjedhur të mos kthehej më pas eksperiencës së parë. Por mesa duket, i kanë pëlqyer paratë që ka marrë këtu. Tani, meqë i është dhënë rasti, hidhet në sulm për të mbrojtur paaftësinë e tij si trajner. Vetëm se vjen nga Italia, nuk do të thotë automatikisht se është trajner i madh”, thekson Bejzade.

EPISODI QESHARAK – Ish-trajneri i Laçit sjell edhe një episod konkret, që sipas tij tregon qartë nivelin amator të Longos. “Kur isha trajner i Laçit, e mundëm Teutën e tij 6-1, madje rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë. Pas ndeshjes, gazetarët më pyetën nëse e kisha studiuar kundërshtarin. Unë thashë të vërtetën: për aq vite sa kam luajtur dhe drejtuar skuadra, nuk kisha parë kurrë një trajner si Diego Longo”.

Bejzade rrëfen se gjatë nxehjes para ndeshjes, Longo u tregonte hapur lojtarëve të tij skemat dhe mënyrën se si do stafit të Laçit. “Ai ua servirte në pjatë taktikën kundërshtarëve. Unë thjesht udhëzova lojtarët e mi të mos dilnin direkt në presing, ngritëm kurthin dhe ata pësuan gola njëri pas tjetrit. Është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht”.

Në përfundim, Bejzade shkon edhe më tej, duke e konsideruar rastin Longo si një sinjal alarmi për drejtuesit e klubeve shqiptare. “Ky është shembulli më i keq i trajnerëve që merren vetëm për shkak të pasaportës. Presidentët tanë shpesh sjellin këtë ‘llum’ trajnerësh dhe më pas ata dalin e flasin, duke ia faturuar dështimet e tyre futbollit shqiptar. Trajnerët e huaj nuk duhen vlerësuar vetëm nga origjina, në dëm të trajnerëve vendas punëtorë dhe të aftë. Ky lloj trajneri nuk duhet të ketë më vend në Shqipëri”, përfundoi Bejzade, i cili aktualisht jeton dhe punon në Gjermani.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL