EKSKLUZIVE/ Prapaskena e bujshme me ish-mesfushorin e Interit, Tirana negocioi për të afruar Naingolanin
Tirana ka shpëtuar mirë nga një skandal që mund ta ngatërronte me çështje penale. Bëhet fjalë për rastin “Naingolan” që po bën bujë në Europë.

“Panorama Sport” mëson se qershorin e shkuar kur Tirana po ndërtonte ekipin, në skenë doli edhe një emër i madh si Radja Naingolan. Lojtari, i cili ishte pa skuadër, kërkonte një klub ku të kthehej e të luante futboll. Ish-shoku i tij i skuadrës, Agim Ibraimi, i sapo prezantuar drejtor te bardheblutë e kontaktoi dhe e pyeti nëse ai ishte i gatshëm të luante në Shqipëri. Naingolan ishte parimisht dakord, por kërkesat e tij financiare ishin shumë të larta dhe në këto kushte Tirana u tërhoq dhe nuk vazhdoi më bisedimet për ta afruar në skuadër. Nëse Radjan do ta kishte sot në ekip, padyshim që bardheblutë mund të ishin në qendër të “ciklonit” europian.
MIQËSIA – Për ata që nuk e dinë Agim Ibraimi dhe Radja Naingolan kanë luajtur në të njëjtën skuadër, Kaljarin. Bëhet fjalë për sezonin 2013- 2014. Dyshja ishte pjesë e Serisë A dhe kanë njohje shumë të mirë me njëri-tjetrin.
AKUZAT – Radja Naingolan është liruar nga burgu, por vazhdon të ndiqet penalisht. Ish-mesfushori i Kagliarit, Romës dhe Interit, si dhe kombëtarja belge, është lënë në arrest shtëpie, i akuzuar për përkatësi në një organizatë kriminale si pjesë e një hetimi për trafikun ndërkombëtar të drogës. Pavarësisht kësaj, ai u lirua me kusht, pasi u dëgjua nga një gjyqtar hetues pasditen e së martës, por nuk mund të largohet nga vendi. Sipas avokatëve të tij, Mounir dhe Omar Souidi, Naingolan nuk u mor në pyetje për trafik droge, por vetëm për shuma parash që ai dyshohet se ua dorëzonte njerëzve që njihte. Ata sqaruan gjithashtu se lojtari nuk është akuzuar për pastrim parash.
HETIMI I BRUKSELIT – Arrestimi i Naingolan, i cili u bë të hënën së bashku me 17 të dyshuar të tjerë, është pjesë e një hetimi të kryer nga zyra e prokurorit të Brukselit. Hetimi ka të bëjë me trafikun ndërkombëtar të kokainës së importuar nga Amerika e Jugut në Evropë përmes portit të Antverpit dhe më pas e shpërndarë në Belgjikë. Deri tani, 14 persona janë akuzuar zyrtarisht. Katër prej tyre me shkrim pa u paraqitur para gjykatës, ndërsa dhjetë të tjerë u paraqitën para gjyqtarit hetues. Nga këta, një person është liruar me kushte, tetë janë arrestuar dhe një është nën vëzhgim elektronik. Lojtari belg tani do të jetë në gjendje të rifillojë stërvitjet me Lokeren Temse, një klub belg i kategorisë së dytë me të cilin së fundmi bëri debutimin e tij duke shënuar një gol direkt nga këndi. Përveç rikthimit të tij në fushë, Naingolan së fundmi ka zgjeruar interesat e tij duke iu bashkuar BKFC, liga e promovuar nga Conor McGregor, ikona e UFC dhe bashkëpronar i organizatës.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













