EKSKLUZIVE/ “Po planifikonim sfidën me Flamurtarin”, Kërnaja tregon prapaskenat e shkarkimit: E papritur, Demi më tha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2026 | 8:21

EKSKLUZIVE/ “Po planifikonim sfidën me Flamurtarin”, Kërnaja tregon prapaskenat e shkarkimit: E papritur, Demi më tha…

Drejtuesit e Partizanit vendosën të enjten në mënyrë të papritur të ndanin rrugëtimin me trajnerin Oltijon Kërnaja. Faza e katërt dhe disfata në derbi duket se ndikuan drejtpërdrejt në shkarkimin e teknikut 37-vjeçar, edhe pse ky i fundit arriti të “shkundte” sezonin e të kuqve, duke e rikthyer ekipin në garë për vendin e katërt, edhe pse e mori drejtimin mes shumë problemesh të ekipit, ku përfshihej forma, aspekti psikologjik e më të rëndësishmet, pikët.

kernajaa

Megjithatë, edhe pas këtij shkarkimi, në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Kërnaja ka fjalë pozitive për klubin kryeqytetas, ndërsa falënderoi presidentin Gazment Demi për mundësinë e dhënë. Ndër të tjera, Kërnaja shtoi se lojtarët nuk e lanë asnjëherë në baltë, ndërsa u shpreh se, pavarësisht vështirësive, ia doli që të promovojë e përmirësojë disa futbollistë, që do të mbeten një vlerë për skuadrën dhe klubin edhe për të ardhmen. Sa i takon të ardhmes, Kërnaja tha se do të marrë kohë për të vendosur dhe se, nga tani e deri në fund të sezonit, do të mund të shfrytëzojë më shumë kohë të lirë për familjen.

A e prisnit shkarkimin? Ishte diskutuar diçka e tillë më parë në klub, apo erdhi e papritur edhe për ju? Si fillim dua të falënderoj Presidentin Gaz Demi për mundësinë e dhënë, shpresoj t’ia kem shpërblyer me punë dhe rezultate. Sigurisht që nuk e prisja, të them të drejtën; kishim folur, diskutuar me zyrtarë të klubit dhe po planifikonim ndeshjen e fundjavës.

Çfarë ju komunikoi presidenti Demi? Presidenti Demi më tha që bashkëpunimi ynë mbaron këtu. Presidenti ishte ai që besoi tek unë dhe po presidenti që ma komunikoi mbylljen e bashkëpunimit.

Si e vlerësoni raportin tuaj me drejtuesit e Partizanit? Raporti im me drejtuesit, shumë i mirë, shumë miqësor dhe sigurisht tej mase profesional. Çdo lëvizje e kemi bërë në bashkëpunim me drejtorin Agim Ibrahimi dhe shef-scoutin Altin Ferat. Gjithashtu, me gjithë pjesën tjetër drejtuese kemi qenë tej mase korrektë dhe secili ka bërë punën e tij që i takon në klub.

Sa keq ju vjen që u shkarkuat tre ndeshje para fundit të kampionatit dhe nuk mundët ta mbyllnit sezonin? Sigurisht askush nuk është i kënaqur që ndërpritet një bashkëpunim, por jeta vazhdon; duhet të shohim përpara.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL