EKSKLUZIVE/ “Për të fituar duhet shumë maturi”, Gjika: Kujdes kampionët, s’ka vend për eufori te Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2026 | 17:15

EKSKLUZIVE/ “Për të fituar duhet shumë maturi”, Gjika: Kujdes kampionët, s’ka vend për eufori te Elbasani

Elbasani mori një fitore të rëndësishme në Vlorë fundjavën që lamë pas, duke i dhënë mundësinë të ngjitet në krye me pikë të barabarta me Vllazninë. Ish-futbollisti i njohur i Elbasanit, Dhimitër Gjika, analizoi këtë fitore për “Panorama Sport”, ndërsa u ndal edhe te pritjet e Janaçek nga pika e bardhë e penalltisë.

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit

“Do ta konsideroja si një ndeshje kryevepër të Elbasanit në Vlorë, ku luftoi shumë dhe në fund ia doli të marrë tri pikët. Meritë për këtë fitore i jap edhe portierit Janaçek. Pse e them këtë? Sepse ishte vendimtar te penalltitë, ku rrallë ndodh që një portier të presë dy penallti në atë mënyrë. Në kujtesën time, ky është rasti i dytë, pasi më herët ka qenë Elvis Kotorri që ka pritur dy penallti në Shkodër. Për mua, këto raste duhen shkruar në historinë e futbollit europian”, u shpreh fillimisht ish-futbollisti i njohur.

DUELI ME EGNATIAN – Gjika u ndal edhe te dueli i radhës me Egnatian, të cilin e konsideron një përballje të vështirë, ndaj së cilës verdheblutë duhet të tregojnë kujdes. “Për mua, të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe kanë rëndësinë e tyre. Megjithatë, me Egnatian është edhe më e vështirë, sepse është një rival direkt, me të cilin do të përballemi edhe në finale. Për të fituar duhet shumë kujdes, jo eufori dhe mendjemadhësi, por të zbatohen detyrat që jep trajneri. Personalisht e falënderoj për punën e mirë që ka bërë dhe i jap meritë të madhe për zëvendësimet. Është shumë i zoti, gjen kohën dhe momentin e duhur. Këto detaje bëjnë diferencën”, vijoi më tej Gjika.

LUFTA PËR TITULL – Ai evidentoi edhe tre ekipet që luftojnë për titullin kampion, duke e cilësuar garën si shumë të fortë. Në fund, pati edhe një këshillë për elbasanasit në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit. “Gara për titull është shumë e vështirë mes tre skuadrave pretendente: Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia. Kam simpati për të tria dhe më pëlqen futbolli që luajnë. Do të fitojë ai që është më i miri dhe që do të bëjë më pak gabime në finale. Kam një thirrje për ekipin e Elbasanit që të tregojë kujdes me kartonët e panevojshëm dhe të shmangen dëmtimet serioze. Për momentin janë dy të tilla, portieri dhe kapiteni. Kur të nisë faza finale, shpresoj që të paktën 90% e formacionit të mos ketë probleme. U bëj thirrje tifozëve që të vazhdojnë ta mbështesin ekipin ashtu siç dinë ata, por me pak më shumë kulturë. Një falënderim edhe për presidentin, i cili investon, një njeri fjalë pak dhe punë shumë”, përfundoi Dhimitër Gjika.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL