EKSKLUZIVE/ Pas firmës vjen lajmi më i keq, kapiteni i Partizanit detyrohet të shkojë jashtë Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2026 | 22:39

EKSKLUZIVE/ Pas firmës vjen lajmi më i keq, kapiteni i Partizanit detyrohet të shkojë jashtë Shqipërisë

Marçelino Preka po kalon një makth te Partizani me dëmtimet. “Panorama Sport” mëson se mbrojtësi i “demave” duhet të shkojë jashtë Shqipërisë, që t’i nënshtrohet një operacioni.

PREKA

Ky sezon ishte i çuditshëm te Partizani. Fillimisht ishte ndeshja me Vorën, më 4 nëntor, kur Preka u dëmtua dhe qëndroi për disa ndeshje jashtë. Më pas u preferua në stol ndaj Dinamos, pa fituar minuta më 23 dhjetor. Preka u kthye për të luajtur ndaj Burrelit në janar. Pas pjesës së parë erdhi ndërrimi i detyruar dhe sërish mungesa në disa ndeshje.

Situata me dëmtimet e Prekës rezulton disi e paqartë, për shkak të mënyrës si u mbyll sezoni. 22-vjeçari vetëm sa ishte kthyer në fushë, madje e nisi titullar ndaj Flamurtarit. Pas pjesës së parë në stadiumin “Arena e Demave” u vendos për ndërrimin e tij. Kështu u përsërit situata e disa muajve më parë.

Preka ka mbajtur shiritin e kapitenit te Partizani, ndërsa është aktivizuar opsioni i rinovimit të kontratës. Mbrojtësi nga Shkodra është i lidhur në kontratë me të kuqtë edhe për një edicion tjetër.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL