EKSKLUZIVE/ Pagesat e prapambetura, tri klube të Superiores me merkato të bllokuar nga FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2025 | 19:18

EKSKLUZIVE/ Pagesat e prapambetura, tri klube të Superiores me merkato të bllokuar nga FIFA

Tirana, edhe një herë tjetër e sheh veten me merkato të bllokuar. Sistemi i FIFA-s ka bllokuar bardheblutë që të mos regjistrojnë lojtarë për periudhën në vazhdim, pasi nuk kanë shlyer detyrimet ndaj një lojtari.

tirana vllaznia

Edhe pse FIFA nuk e zbulon identitetin e lojtarit, mësohet se me shumë mundësi ai është Filip Najdovski. Futbollisti iku në verë dhe tani luan në kampionatin maqedonas me Vardarin. Bardheblutë vijojnë të jenë një nga klubet më problematike sa i përket kontratave të respektuara jo si duhet dhe, si rrjedhojë, herë pas here FIFA reagon me bllokime, pas sinjaleve të dhëna nga lojtarët për mosshlyerjen e detyrimeve. Presidenca është përpjekur të mbyllë gjithë çështjet e prapambetura, por duket se, sapo mbyllet një, hapet një tjetër. Një tjetër çështje e nxehtë aktualisht është edhe ajo e Liridon Latifit, e cila vijon të jetë në gjykim.

LAÇI DHE VLLAZNIA – Veç Tiranës, me merkato të bllokuar janë edhe dy ekipe të tjera të Superiores. Bëhet fjalë për Laçin dhe Vllazninë, edhe këto për mospagim lojtarësh. Kurbinasit prej dy vitesh nuk kualifikohen në Kupat e Europës dhe kjo ka rezultuar të jetë një goditje e rëndë financiare, pasi kjo është reflektuar edhe në cilësinë e ekipit, që ka qenë vazhdimisht në rënie dhe tashmë po diskuton mbijetesën. Problemet financiare të lindura, për shkak të ndërprerjes së këtij burimi kanë shkaktuar edhe vonesa me pagesat e lojtarëve dhe hapjet e çështjeve të tilla. Përveç problemit të mbijetesës, kurbinasit duhet të zgjidhin edhe këtë telash, pasi vera po afron dhe merkatoja duhet hapur me patjetër. Sa i përket Vllaznisë, edhe shkodranët nuk kanë kaluar sezonin më të mirë nga ana e financave. Fatmirësisht në muajt e fundit ka pasur një përmirësim, por çështjet e mbartura vijojnë të jenë një problem. Shkodranët kanë disa çështje të hapura. Nga kategoritë e ulëta, ekipi i vetëm që është i bllokuar nga FIFA, mbetet Oriku, i cili pretendon të ngjitet në të Parën.

PANORAMASPORT.AL