EKSKLUZIVE/ Orges Shehi analizon derbin e elitës: Tirana thyen Dinamon dhe largon krizën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2025 | 8:32

EKSKLUZIVE/ Orges Shehi analizon derbin e elitës: Tirana thyen Dinamon dhe largon krizën (E PLOTË)

Orges Shehi është i bindur se Tirana fiton në derbin me Dinamon.shehiTrajneri i Ballkanit dhe ish-i i bardhebluve, Partizanit, Kukësit, Skënderbeut në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” analizoi sfidën mes dy “ish” të njohurve të tij, Ilir Dajës dhe Bledi Shkëmbit. Durrsaku pranoi se për situatën ku ndodhet ekipi bardheblu, fitorja është alternativa e vetme, ndërsa blutë kanë më pak shpresa.

Orges Shehi, si po të shkon aventura te Ballkani?

Për mua është eksperiencë e re, në një kampionat të ri. Mund të them që deri diku shkon mirë, por ka mundësi për më shumë dhe për të bërë më mirë.

E ke “vëzhguar” kampionatin shqiptar?

Unë nuk është se e ndjek rregullisht, por kur kam kohë dhe kur nuk korrespondon me stërvitjen apo ndeshjet e Kosovës, mundohem të shoh takimet e Superiores.

Këtë javë përballë do të jenë Tirana dhe Dinamo. Një derbi i dytë me skuadra të mëdha. Si i sheh këtë sfidë?

Për mua është një ndeshje e fortë. Për Tiranën është ndeshje deçizive, ndërsa Dinamoja vjen më e qetë. Në Kupë, kualifikimin e ka fituar nëpërmjet shtesës. Lodhja fizike mund të ndikojë pak te blutë dhe Tirana me këtë plus, mund të arrijë të marrë maksimumin. Unë besoj dhe mendoj se bardheblutë do të dalin të fituar nga kjo sfidë. Kjo për vetë situatat që po kalon dhe pozitën që ka. I duhet me patjetër për t’iu shmangur fundit, sepse më vjen shumë keq. Ta shohësh Tiranën në atë pozicion nuk është një ndjesi e mirë.

Ju keni drejtuar ndoshta Tiranën më të mira të dekadave të fundit. Për çfarë shfaq në fushë, ky ekip a e meriton këtë vend në renditje?

Me ato ndeshje që kam parë nuk mendoj se e meriton këtë pozicion në renditje, gjithmonë në raport me lojën. Në shumë sfida, bardheblutë mund të merrnin maksimumin. Më ka ardhur keq që nuk ka dalë me tre pikë nga disa ndeshje. Po nga ana tjetër, duhet të mos harrojmë që është një kampionat shumë i luftuar. Një fitore apo një humbje shkund ekipet. Në thelb për atë që ka treguar në fushën e lojës nuk e meriton fundin e tabelës.

Ju e njihni mirë si Shkëmbin dhe Dajën. Këtë të fundit trajner, ndërsa Bledin koleg. Cilat janë veçoritë e të dyve?

Bledin, unë e kam pasur shok skuadre dhe nuk e kam pasur trajner që mund ta shoh si teknik dhe të jap një vlerësim për këtë rast. Ilir Dajën e kam pasur trajner dhe kundërshtar në stol. Nuk e di se cila është e veçanta e dy trajnerëve, pasi nuk e kam një peshë të saktë. Sigurisht, eksperienca e Dajës është më e madhe se të gjithë ne, që sapo e kemi filluar këtë profesion. Gjithashtu, besoj se ditën e ndeshjes, në fushë do të luajë dhe do ta fitojnë trajnerët. Teknikët japin direktivat e tyre. Gjithsesi, të mos harrojmë se protagonistë janë lojtarët që me episodet e veçanta, kur i vlerësojnë dhe janë të përqendruar 100 përqind, mund të vendosin takimin.

Ke një vlerësim dhe krahasim për kampionatin shqiptar dhe kosovar?

Për të bërë një vlerësim është pak herët. Unë kam pak kohë në këtë kampionat. Në Kosovë ka njerëz të përkushtuar, që duan të punojnë, por i penalizon shumë infrastruktura. Kjo është e meta më e madhe e këtij kampionati. Në Shqipëri, infrastruktura është më e mirë, stadiumet janë më të mira. Fushat janë me bar natyral dhe ekipet mund të shprehen më kollaj. Nga ana tjetër, mesa jam në dijeni, kjo çështje do të jenë në fokusin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Gjatë viteve në vijim do të ndërtohen disa impiante.

Partizani dhe Egnatia, dy skuadrat që shkuan në finale, këtë sezon si i shihni?

Janë dy gjëra të ndryshme. Partizani transferon lojtarët cilësorë, ndërsa Egnatia përforcohet. Janë kahe komplet të ndryshme. Egnatia nga ana e saj zgjedh lojtarët më të mirë që janë në qarkullim ose që dalin të lirë. Të gjithë kërkon t’i afrojë dhe t’i ketë në gjirin e vet. Po ta shohësh, ka një skuadër shumë të mirë si në 11-shen që luan, por edhe organika e stolit, pra përforcohet me lojtarë cilësorë. Partizani ka shitur boshtin e ekipit dhe për mendimin tim është në një tranzicion shumë të madh.

Vllaznia?

Shkodranët janë një skuadër që unë do ta konsideroja rivale të fortë për të marrë kampionatin. Jam i bindur që do të jetë në finale të “Final 4”. Vllaznia është një ekip me ambicie, por këto ambicie janë reale, sepse ka skuadrën shumë të mirë. Urinë e ka, pasi nuk fiton prej kohësh. Fanellën e ka të rëndë dhe do ta konsideroja një nga kandidatet e forta për të marrë kampionatin.

Shehi, pa bërë shumë elozhe, cila nga ekipet krahasohet me skuadrën tuaj të titullit kampion?

Ajo skuadër është ndryshe. Unë mendoj që në një klub duhet të jenë të gjithë hallkat e lidhura që gjërat të ecin mirë. Në ato dy vite që drejtova Tiranën, duke hequr gjysmat e sezonit, kur dolëm kampionë dhe me pikë të barabarta me Partizanin, të gjithë ishim lidhur me njëri-tjetrin. Të mos harrojmë që tifozët kanë qenë të shumtë dhe të zjarrtë në ato dy vite. Për të mos folur për futbollistët që u transferuan në ekipe të mira. Ato dy vite te Tirana, jo çdo skuadër mund t’i bëjë përsëri edhe pse pas titullit ndryshuam një ekip të tërë dhe sërish klubi ishte konkurrues.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL