EKSKLUZIVE/ Një ekspert i Superiores për portën e Tiranës, bardheblutë nisin negociatat me pasardhësin e Selmanit
Klubi i Tiranës është vënë në lëvizje për të përforcuar radhët me futbollistë të cilët duhet të plotësojnë grupin e bardhebluve para se vendoset edhe për emrin e trajnerit të ri. Në skuadër janë zyrtarizuar lëvizjet e para, teksa vazhdojnë negociatat me lojtarë të cilët pritet t’u bashkohen në ditët në vijim.

“Panorama Sport” ka mësuar se drejtuesit bardheblu kanë nisur sot negociatat edhe me një portier me shumë emër në Superiore, i cili do të marrë vendin e lënë bosh nga Gentian Selmani, i larguar pak ditë më parë. Bëhet fjalë për Angelos Tafas, i cili pritet të mbrojë katërkëndorin e skuadrës kryeqytetase nga ky sezon dhe sot është takuar me drejtuesit e ekipit.
Portieri spikati me fanellën e Kukësit në elitën e futbollit shqiptar, duke qenë për shumë vite një nga gardianët më të vlerësuar, ndërsa në sezonin e fundit, veshi fanellën e skuadrës së Teutës. Pas largimit nga durrsakët, ai është në kërkim të një destinacioni të ri për të vazhduar karrierën dhe duket se është pranë akordit me bardheblutë për t’u bërë pjesë e tyre.
PANORAMASPORT.AL













