EKSKLUZIVE/ Nga “babai” Murinjo e Reali, te Flamurtari i madh. Rrëfehet Rodrigues: Erdha të ndihmoj skuadrën (E PLOTË)
Afrimi i ish-mes fushorit të Realit të Madridit, Hoze Rodrigez, konsiderohet si qershia mbi tortë për Flamurtarin e saporikthyer në Superiore. Në këtë merkato vere, ardhja e futbollistit që ka pasur eksperiencë te Reali i Madridit dhe fitoi besimin e trajnerit Hoze Murinjo, shihet me optimizëm edhe nga vetë tifozeria vlonjate, ndërsa për vetë klubin ishte një goditje e vërtetë. Ai ka eksperiencë, teksa ka luajtur për shumë ekipe në Spanjë, Gjermani, Izrael, Holandë dhe Belgjikë. Së fundmi, mesfushori ka kontribuar për Adana Demirspor në Turqi.

Ka luajtur dhe ka shënuar për Realin e Madridit në Champions në moshë të re dhe kjo e bën mesfushorin që të diferencojë nga të tjerët. Ka vlera në fushë, por edhe jashtë saj dhe këtë Rodrigez e tregon edhe gjatë intervistës ekskluzive për “Panorama Sport”. 30-vjeçari nuk i fsheh emocionet që ka ardhur në një skuadër si Flamurtari, për të cilën thekson se ka histori dhe një peshë të rëndë fanelle. Premton angazhim dhe përkushtim për ta bërë sërish të madh Flamurtarin.
Mesfushori spanjoll zbulon se e bindën për të ardhur në Vlorë trajneri Karlos Garsia dhe administratori Sinan Idrizi për ambicien dhe projektin që i prezantuan. Nuk ka se si të mos flasë për trajnerin portugez Hoze Murinjo, i cili i dha mundësinë te Reali. Ai e cilëson Murinjon si babanë e tij, ndërsa preferon t’ia përmendë emrin shkurtimisht, duke i folur “Mou”.
Rodrigez, si ndihesh për këtë kapitull të ri në karrierën tënde me Flamurtarin? Jam i lumtur që klubi ka besuar tek unë. Kam ardhur për të ndihmuar skuadrën dhe klubin që të rritet. Jam i emocionuar për këtë aventurë të re te Flamurtari. Kam bërë një zgjedhje zemre, duke ditur edhe historinë e këtij klubi.
Çfarë ke dëgjuar për Flamurtarin si klub dhe për historinë e tij?
E di që është një klub historik në këtë vend dhe kjo më motivon. Kam dëgjuar për Flamurtarin, një skuadër që është krenari për kampionatin shqiptar dhe që ka bërë histori, duke përcjellë emocione të mëdha si brenda, edhe jashtë Shqipërisë.
Kush të bindi për të ardhur në Vlorë te Flamurtari?
Kam ardhur këtu për shkak të ambicieve të trajnerit dhe presidentit të klubit. Ata duan dhe po punojnë që Flamurtari i këtij sezoni të jetë një ekip i madh. Kjo gjë mua më motivon edhe më shumë.
Cili është mendimi yt për trajnerin Hoze Murinjo, me të cilin keni punuar?
Mou është “babai” im. Shpresoj për më të mirën për të. Ai është një njeri i veçantë. I kam dërguar një mesazh dhe e kam vënë në dijeni për aventurën time këtu. Ai ka qenë këtu në Shqipëri dhe është larguar me përshtypje shumë të mira.
Çfarë mund të presin klubi dhe tifozët nga ti, si në fushë ashtu edhe jashtë saj?
Tifozët mund të presin angazhim. Kam ardhur për të qenë më i miri dhe për t’i dhënë mundësinë klubit të bëhet përsëri më i madhi. Do të punoj për ta bërë këtë gradualisht. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës, por jam i bindur se deri në fund të sezonit do ta arrijmë këtë, nëse klubi do të përmbushë gjithçka që kemi diskutuar. Premtoj se do të jem i përkushtuar ndaj klubit dhe skuadrës për të dhënë maksimumin për këtë fanellë. Do të punoj fort bashkë me shokët e skuadrës që ky sezon të jetë i shkëlqyer. Do të bëjmë gjithçka dhe do të luftojmë në çdo ndeshje për ta fituar atë.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













