EKSKLUZIVE/ Nazimi si opsion, Tirana kërkon mesfushor qendre dhe të majtë. Probleme me dy kontrata
Tirana është në Greqi dhe vazhdon fazën përgatitore, por problemi më i nxehtë mbetet merkatoja dhe grupi i formuar. Gjatë këtyre ditëve është analizuar situata te bardheblutë.

Tirana duhet të gjejë lojtarë që të rrisin nivelin e skuadrës në fushën e lojës. Aktualisht, skuadra ka nevojë për një mbrojtës të majtë, si zëvendësues, dhe për një mesfushor qendre. Njëri prej tyre është David Nazim, i cili më parë ka luajtur me Hapoel Afula. Ai aktivizohet në qendër të mesfushës dhe në mbrojtje. Përveç Nazimit, ka edhe disa opsione të tjera, por bardheblutë po kërkojnë edhe lojtarë shqiptarë që janë pa skuadër dhe që mund t’i vlejnë Tiranës. Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë emrat në qarkullim.
Ekipi nuk mund të bazohet vetëm te të huajt, pasi dihet që ata nuk e njohin fanellën, ndërsa nga ana tjetër, në dhomat e zhveshjes duhet një lojtar që të “shkundë” grupin. Vjet ishin Përgjoni dhe Mici, pa harruar të tjerët, ndërsa këtë vit, lojtarët shqiptarë janë shumë pak. Për këtë qëllim, do të hyhet në merkato për të afruar lojtarë shqiptarë që mund të mbajnë peshën e ekipit dhe ta udhëheqin, si në fushë, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes.
DYSHJA – Leon Kozi dhe Rimal Haxhiu janë dy problemet e Tiranës. Lojtarët ende nuk kanë zgjatur kontratën me klubin bardheblu. Edhe gjatë ditës së djeshme, ata kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e skuadrës për të zgjidhur çështjen në fjalë. Gjithsesi, lojtarët janë pjesë e fazës përgatitore, por akoma nuk kanë firmosur zgjatjen e kontratës.
Në fakt, çështja e tyre është disi e veçantë. Ata kanë kontratë edhe për një vit, por palët duhet të bien dakord për detajet e mundshme, siç janë rroga dhe të tjera. Vetëm sezonin e ardhshëm dy lojtarët mund të konsiderohen të lirë. Për më tepër, Kozi është produkt i akademisë dhe është ende në periudhën e formimit. Gjithsesi, të shohim. Për momentin, dyshja është bardheblu.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













