EKSKLUZIVE/ “Milinkoviç ishte dështim”, Hallaçi: Partizani ka nevojë për lojtarë me karakter të fortë, vendi i pestë nuk pranohet (E PLOTË)
“Vendi i pestë nuk mund të pranohet në një klub me prestigjin dhe historinë e Partizanit”, kështu shprehet ish-futbollisti i kryeqytetasve, Rrahman Hallaçi.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hallaçi theksoi se te Partizani u gabua me emërimin e Mladen Milinkoviç, duke qenë se ky i fundit kishte dështuar te Kukësi kur ekipi verilindor kishte objektiva madhorë duke treguar se nuk është një trajner për nivele të larta.
Si do ta komentonit sezonin e Partizanit tashmë që kampionati përfundoi, a morën aq sa meritonin apo ekipi mund të ishte edhe më lart?
Skuadra e Partizanit e filloi sezonin me trajnerin Milenkoviç, me një trajner që ka qenë edhe më parë në Shqipëri. Ai ka qenë te Luftëtari dhe te Kukësi, por kur ka qenë te Luftëtari ata nuk ishin pretendentë dhe më pas, kur kaloi te Kukësi pretendent, aty u duk se ai nuk ishte trajneri i duhur për një ekip pretendente për titull. Dhe mendoj personalisht që Partizani mund të ketë gabuar në zgjedhje, pasi Milenkoviç mund të jetë një trajner për skuadra pak më të vogla.
Më pas kuptohet që kampionati shqiptar është i vështirë sepse shumë skuadra janë të organizuara dhe kanë buxhete të plotësuara, kanë lojtarë cilësorë. Kuptohet që Partizani ndoshta nuk e nisi mirë dhe më pas disa gjëra u rregulluan pasi edhe disa lojtarë kryesorë arritën formën. Besoj se mund të bënte më mirë sepse kanë pasur një organikë të plotësuar. Më pas erdhi trajneri i Partizanit B, Kërnaja.
Ai u mundua për të bërë më të mirën, por që mendoj se një skuadër si Partizani duhet të bëjë më shumë pasi Partizani ka një fanellë të madhe dhe duhet të jetë gjithnjë në vendin e parë duke ditur edhe historinë që ka. Mendoj se me ardhjen e drejtorit Agim Ibraimi gjërat u rregulluan shumë duke qenë se morën disa lojtarë cilësorë dhe u duk qartë lëvizja që kishte në merkato.
Mirëpo më pas patën sërish luhatje qoftë në rezultat ashtu edhe në ndeshje mbi të gjitha. Mendoj se Partizani duhet të bënte diferencën sepse kishte dy skuadra aty A dhe B, por që vendi i pestë nuk i përshtatet kësaj skuadre.
Përse Partizani pati aq shumë luhatje përgjatë sezonit, sidomos pas fazës së tretë, ku rezultatet ishin shumë zhgënjyese dhe ekipi humbi vendin e katërt?
Pati luhatje në fazën e tretë pasi të mos harrojmë se fanella e Partizanit peshon shumë dhe disa lojtarë apo shumë kush aty në klub që mund të ketë pasur shansin të ketë qenë pjesë e Partizanit, ndoshta nuk e ka mbajtur dot presionin. Ndoshta me skuadra të vogla mund t’ia dalësh, por te Partizani është e vështirë sepse do të jesh gjithë kohës në presion.
Është rezultati që kërkohet vazhdimisht nga drejtuesit dhe sidomos nga tifozëria e Partizanit. Kuptohet disa luhatje ndodhën sepse ndryshimi i trajnerëve, ndoshta nuk patën merkaton e duhur, më pas disa lojtarë ishin jashtë forme. U afruan disa lojtarë që nuk ishin në maksimumin e formës për momentin. Vuajtën për të marrë rezultate, por kjo vjen edhe si pasojë e lojës së kundërshtarëve që ishin mjaft të fortë dhe të mobilizuar.
Nuk mund të them që Partizani nuk ka bërë mirë gjatë rrugës, ka pasur edhe momente të mira, edhe momente e ndeshje të vështira për Partizanin, por që ia ka dalë të kthejë edhe rezultate, por që nuk është mjaftueshëm për këtë skuadër. Uroj që në sezonin e ardhshëm të bëhen më mirë, aq më tepër kur presidenti ia ka krijuar çdo mundësi trajnerit dhe stafit. Mendoj që duhet të jenë më të kujdesshëm, mbi të gjitha për përzgjedhjen e lojtarëve.
Drejtuesit vendosën të shkarkonin trajnerin Kërnaja tre javë para fundit të kampionatit, a ishte vendimi i duhur apo u nxituan?
Klubi vendosi që të ndryshojë dhe të lëvizte trajnerin, ndoshta ata nga brenda i dinë gjërat më mirë. Por, duke ditur që Partizani kërkonte me patjetër vendin e katërt dhe duke parë disa javë që ekipi nuk po fitonte dot, ndoshta është edhe çështje besimi dhe ndoshta menduan për një plan B. Duke qenë edhe drejtori Ibraimi në ekip, ndoshta edhe ai mund ta bënte trajnerin e parë sepse te Partizani jemi mësuar që edhe drejtori të bëjë rolin e trajnerit në të kaluarën siç është rasti i Abilaliaj që ia ka dalë. Vendin e katërt në fund nuk e arritën dot, por lëvizjen e trajnerit e kanë mirëmenduar drejtuesit për të mirën e skuadrës.
Cili do të ishte një profil ideal i një trajneri për Partizanin në sezonin e ardhshëm?
Drejtuesit e Partizanit e kanë eksperiencën dhe e dinë mirë çfarë trajneri i duhet klubit të Partizanit. Trajnerët ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe varet çfarë kërkojnë drejtuesit, duan një projekt direkt ku të kërkojnë titullin kampion dhe Kupat e Europës që në vitin e parë apo duan një trajner që ka një vazhdimësi nga sezoni në sezon. Janë shumë gjëra për t’u parë te një trajner, stili i lojës, mënyra që luan i përshtatet apo jo Partizanit sepse bëhet fjalë për një klub të madh. Nuk ka të bëjë nëse duhet një trajner në moshë dhe me eksperiencë, apo një trajner i ri.
Mendoj që edhe një trajner i ri nëse ka ide të qarta dhe e kupton se në çfarë klubi është, atëherë mund të bëjë mjaft mirë. Por, kuptohet edhe trajneri do pak kohë për t’u përshtatur dhe që mund të ketë përballë edhe lojtarët që ndoshta nuk i njeh. Shpresoj të bëjnë një zgjedhje sa më të mirë, por tregu ka shumë trajnerë dhe drejtuesit do ta dinë më mirë. Uroj të bëjnë një zgjedhje sa më të mirë dhe unë jam pro për trajnerët e rinj sepse kanë më shumë energji.
Çfarë duhet të bëjnë ndryshe drejtuesit për sezonin e ardhshëm në mënyrë që ekipi të rikthehet sërish konkurrues?
Drejtuesit unë mendoj se i kanë bërë punët mirë, presidenti, stafi, drejtorët, të gjithë ata që janë në bord. Mendoj që zgjedhjet i kanë bërë të mira, qoftë për stafin teknik, qoftë për lojtarët zgjedhjet janë bërë. Tani i ngelet në dorë stafit teknik, i ngelet lojtarëve për të arritur dhe për të marrë maksimumin dhe për të arritur objektivin. Nuk mund të them se drejtuesit kanë bërë diçka gabim. Në mënyrë absolute drejtuesit kanë krijuar kushte komode. Është një klub sportiv modern me hotel, restorant, palestër, me fusha, nuk mungon asgjë.
Kështu që drejtuesit e Partizanit bëjnë më të mirën për stafin teknik, trajnerin, lojtarët dhe pastaj topi kalon te stafi teknik dhe futbollistët. Çdo lojtar që vjen te Partizani duhet ta kuptojë mirë me çfarë ka të bëjë, bëhet fjalë për një klub legjendë në Shqipëri. Duhet një lojtar me karakter, i fortë, lojtarët e brishtë nuk kanë vend te Partizani. Lojtarët me karakter duhet të jenë pjesë e skuadrës, drejtuesit e dinë më mirë apo trajneri i ri që do të vijë duhet t’i shohë gjërat me kujdes sepse vendi i pestë është shumë poshtë për Partizanin.
A mendoni se Partizani ka nevojë për shumë ndërhyrje në merkato, apo duhet rikonfirmuar grupi aktual edhe pse në fund objektivat nuk u arritën?
Në mënyrë absolute nuk mendoj që duke bërë shumë lëvizje mund të jetë çelësi i suksesit. Mendoj që duhet një menaxhim më i mirë nga stafi teknik, për të zhvilluar stërvitjet ashtu siç e kërkojnë edhe kohët e sotme, për të ndryshuar edhe stilin e lojës sepse Partizani duhet të jetë ai që jemi mësuar gjithmonë, duke mbajtur në presion kundërshtarët. Jo një skuadër që luan një ndeshje mirë dhe në 4-5 ndeshjet e radhës të vijë në rënie, Partizani duhet të jetë konstant. Merkato kuptohet që mund të ketë lëvizje, por nuk jam pro për të bërë shumë lëvizje, ndonëse Partizani nuk ka marrë një pozicion të mirë në këtë kampionat, sepse nëse do të ketë shumë lëvizje në skuadër atëherë i bie që gjithçka të nisë nga e para.
Nisur edhe nga pikët, duket se gara e titullit do të jetë mes Vllaznisë dhe Elbasanit, cila mendoni se do t’ia dalë në fund?
Vllaznia ka bërë mirë, ka pasur një ngërç gjatë kampionatit, por mendoj që e kanë zgjidhur mirë, qoftë stafi teknik e mbi të gjitha presidenca të cilët kanë qenë të kujdesshëm dhe nuk kanë dhënë deklarata kundër skuadrës sepse do t’u bënte keq trajnerit dhe lojtarëve. I kanë menaxhuar mirë ato situata, mendoj se skuadra e Vllaznisë ka dhënë maksimumin deri në këto momente, por nuk mjafton sepse duhet një sforco e madhe nga të gjithë për të treguar nëse Vllaznia e ka merituar vendin e parë, apo jo. Elbasanit pastaj është një skuadër në rritje nga viti në vit, drejtuesit e tyre kanë bërë një menaxhim të shkëlqyer dhe ngelet për t’u parë në “Final Four”.
Mendoj që kanë bërë një super kampionat pasi Elbasani ndoshta në fillim nuk e mendonte vendin e parë apo vendin e dytë pasi kanë gjatë gjithë kohës me Vllazninë duke garuar. Kundërsulmi është arma më e fortë e Elbasanit, mban pak topin në zotërim dhe më pas shfaqet shumë e rrezikshme në tranzicionin pozitiv. Uroj më të mirën qoftë për Vllazninë, qoftë për Elbasanin. Por, në momentin që po flasim, kam parë Elbasanin në këtë mbyllje të sezonit që është pak më i fortë.
Teuta përfundoi në “Play Out” dhe përballë do të ketë Pogradecin. Si e shikoni këtë ndeshje, sa e vështirë do të jetë për durrsakët apo mendoni se do ta zgjidhin lehtësisht?
Skuadra e Teutës ishte mjaft komode në klasifikim dhe ata po pretendonin që të arrinin te vendi i katërt, por ç’është e vërteta u befasova pasi përfunduan në “Play Out”. Është një situatë pak e vështirë sepse është një ndeshje e vetme me eliminim direkt, skuadra e Teutës sigurisht që e ka forcën sepse e ka treguar në ndeshje me kundërshtarë shumë të fortë në Superiore. Por, duhet kujdes sepse edhe Pogradeci është shumë i organizuar.
Të vjen keq që një skuadër si Teuta që bëri edhe ndryshimin e presidentit, me këtë që ka ardhur tani që kërkon të bëjë maksimumin për qytetin për të afruar publikun, me shumë investime dhe do të ishte e rëndë shumë nëse do të binin nga Kategoria. Teuta ishte në garë për “Final Four”, por lojtarët duhet të kenë kujdes pasi edhe lojtarët e ekipeve të tjera luajnë futboll dhe janë të organizuar.
Vështirësia e Teutës u pa në fund pasi ndoshta ra pak përgatitja fizike, kështu që uroj që Teuta t’i ketë marrë mirë të gjitha gjërat parasysh pasi luhet i gjithë sezoni në këtë ndeshje. Pogradeci nga ana tjetër me trajnerin Çela dhe me një zëvendëstrajner si Bekim Kuli kanë bërë një punë të shkëlqyer të cilët tentuan për të kapur vendin e parë apo të dytë në Kategorinë e Parë, por arritën në fund nëpërmjet një rruge shumë të vështirë siç është “Play Off” që të mbërrijnë në finale.
E kam parë skuadrën e Pogradecit, janë një skuadër shumë e fortë, një skuadër që menaxhojnë mirë situatat, kanë disa lojtarë me eksperiencë dhe kanë shfrytëzuar mjaft mirë episodet, por do të kenë përballë një skuadër që vjen nga Superiorja, Teuta ka një ritëm tjetër, por Pogradeci do të jetë i gatshëm për të garuar në këtë ndeshje.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













