EKSKLUZIVE/ Mesfushori i Vllaznisë, Sala: Bylisin e “nënshtruam”, e mposhtim edhe Dinamon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2025 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Mesfushori i Vllaznisë, Sala: Bylisin e “nënshtruam”, e mposhtim edhe Dinamon (E PLOTË)

Eslit Sala ishte një ndër futbollistët më të spikatur të ndeshjes Vllaznia-Bylis, e mbyllur 3-0. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për këtë sukses, ku thekson se ekipi kuqeblu imponoi ritmin ndaj mallakastriotëve, duke merituar në fund fitoren.

sala

Eslit, një fitore e rëndësishme kjo e fundit ndaj Bylisit apo jo?

Shumë e rëndësishme dhe duke parë që ishim në shtëpinë tonë duhet të bënim detyrën. Besoj se e merituam nga fillimi në fund, ku rrezikuam pak në portën tonë dhe ditëm të godasim kundërshtarin në pjesën e dytë, duke marrë 3 pikët, që janë shumë të rëndësishme për ne.

Sa e vështirë është ndaj ekipeve që luajnë për mbijetesë?

Mund të them se është shumë e vështirë, sepse kanë pak diferenca me ekipet e kreut. Po ashtu ata kanë dëshirë për të bërë mirë, sepse pikët janë jetike për këto skuadra. Edhe Bylisi tentoi të na vinte në vështirësi në fillim të ndeshjes, por ne kishim përgatitur çdo detaj dhe e kishim vlerësuar ndeshjen në maksimum, prandaj edhe u shpërblyem.

Ekipi u duk me një ritëm tjetër në pjesën e dytë…

Nuk besoj se kishim ritëm më të ulët edhe në pjesën e parë, sepse goditëm shtyllën me Dodajn e po ashtu Balaj kishte një rast të mirë. Por në të dytën u shënuan golat dhe duket sikur ekipi përmirësoi ritmin. Megjithatë, unë mund të them se skuadra ishte e njëjta në ritëm dhe dëshirë, nga fillimi deri në sekondën e fundit.

Ishte e domosdoshme që ekipi të mos pësonte gol?

Të mos pësosh gol të ndihmon nga ana psikologjike, sepse tregon që ke zbatuar çdo detyrë në përpikmëri. Kjo tregon se ekipi ka funksionuar i gjithi, nga titullarët e deri tek ata që erdhën nga stoli. Uroj të vijojmë në këtë ritëm si me shënimin, ashtu edhe mos pësimin e golave.

Mund ta quajmë atë devijim të ballshiotëve si golin tuaj?

Nuk ka rëndësi kush shënon, e rëndësishme është që topi të shkojë në rrjetë (qesh). Duke lënë mënjanë shakatë, e rëndësishme është fitorja. Pastaj episode si autogolat ndodhin në futboll dhe fatmirësisht kësaj radhe ishte në favorin tonë.

Deri ku mund të shkojë kjo Vllazni?

Ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, të përmirësohemi, sepse ka gjithmonë vend për më mirë e për të tentuar më tepër. Kemi ekip solid dhe cilësor. E kemi treguar gjatë gjithë sezonit, prandaj jemi edhe në vendet e kreut. Koha dhe javët e ardhshme besoj se do të tregojnë më shumë për ekipin.

E radhës do të jetë kundër Dinamos, kundërshtar direkt. Si e pret Vllaznia këtë ndeshje?

Është një ndeshje e fortë, të cilën e presim me emocione pozitive. Ne do të përgatitemi si ndaj çdo kundërshtari edhe kundër Dinamos, me seriozitet dhe vendosmëri. Pastaj në fushë do të jepet maksimumi për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL