EKSKLUZIVE/ Mesfushori i Dinamos, Ardit Toli: Prisni derb spektakolar, fitojmë kundër Partizanit (E PLOTË)
Dinamo e pret me entuziazëm derbin me Partizanin, si dhe me shpresën që të shtunën në mbrëmje ta shohë vetëm më lart se të kuqtë në tabelën e renditjes.
Është derbi numër 3 ndaj këtij rivali, ndoshta “i treti, i vërteti” për fitoren e parë, pasi në dy të parët blutë kanë marrë vetëm 1 pikë. Të dyja skuadrat vijnë nga fitoret dhe pritet që në “Arena e Demave” të luhet një 90- minutësh emocionues. Kështu e parashikon edhe një nga titullarët e Dinamos, Ardit Toli, i cili thekson në një intervistë për “Panorama Sport” se pret një sfidë të bukur për tifozët. Mesfushori blu shprehet se pavarësisht mungesave, Partizani mbeten një ekip i fortë, por beson se ka ardhur momenti që Dinamo të marrë fitoren e parë ndaj të kuqve.
Ardit, jemi përpara derbit të tretë me Partizanin në këtë kampionat. Si e pret këtë sfidë, duke pasur parasysh situatat e dy skuadrave?
E pres një ndeshje mes të barabartësh, siç tregojnë edhe pikët që kemi në tabelën e klasifikimit aktualisht. Të dyja skuadrat do të luajnë për fitore, për t’iu shkëputur njëra-tjetrës, kështu që besoj se do të dalë një derbi i bukur në fushë, me emocione. Kur luajnë dy skuadrat kryesuese, kështu duhet të jetë. Kjo javë është interesante në fakt, sepse edhe dy skuadrat e tjera që janë në katërshen e parë, përplasen mes tyre.
Deri tani nuk e keni mundur asnjëherë Partizanin. A është ky momenti për fitore, duke ditur që kundërshtari është dobësuar disi nga largimi i disa lojtarëve titullarë?
Besoj që po, është një moment i mirë për Dinamon dhe shpresoj të fitojmë. Por këtë nuk e them për shkak të largimit të lojtarëve që ju përmendët. Partizani mbetet Partizan, një ekip i fortë, që ka shumë lojtarë dhe ne e dimë shumë mirë që duhet të luajmë një ndeshje të kujdesshme.
Nuk e diskutoj që lojtarët e larguar nga Partizani ishin shumë të rëndësishëm për ekipin, sepse kanë kualitet dhe eksperiencë, luanin prej kohësh me njëri-tjetrin dhe kishin ndikim në skuadër. Megjithatë, edhe pa ata Partizani mbetet një rival i denjë.
Nëse ne do të jemi vetvetja, pra nëse do të bëjmë lojën tonë si në shumë ndeshje, kam besim se do të marrim atë që duam në këtë derbi. Por në futboll ndikojnë shumë episodet, momente të caktuara të ndeshjes, që diktojnë rrjedhën e lojës, siç na ndodhi në derbin e fundit me Partizanin. Sigurisht, duhet edhe pak fat.
Edhe Dinamo ka pasur mungesa në ndeshjet e fundit, por duket se keni një organikë të mirë. Sa ju ndihmon ky fakt?
Po, është e vërtetë që kemi një grup goxha të mirë, me alternativa cilësore edhe në stol. Mendoj se është shumë i rëndësishëm fakti që profesori (Daja) u merr maksimumin lojtarëve, edhe atyre që luajnë pak. Kemi rastin e Nanit, që kishte luajtur shumë pak, por u bë protagonist me gola sapo iu dha rasti. Kemi një grup vërtet të mirë në çdo aspekt dhe në këtë pikë të kampionatit, ku fillon të ndihet edhe lodhja gradualisht, ky faktor mund të jetë edhe vendimtar. Sepse kur ke lojtarë në stol, mund të përballosh ngjeshjen e kampionatit dhe çdo vështirësi.
Nga tre rivalët e 4-shes së parë, që tashmë ka krijuar një shkëputje të konsiderueshme, cilin do të veçonit si më të fortin?
Të tre rivalët janë të fortë dhe duhen respektuar, por Dinamo, siç e thashë më lart, nëse bën lojën e saj, mund të kalojë çdo pengesë. Duke parë atë që ka ndodhur në merkato, mendimi im është se Egnatia është një rival më i fortë. Ata kanë afruar më shumë lojtarë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu kanë edhe lojtarë që prej vitesh luajnë bashkë aty dhe kanë një eksperiencë të gjatë në futbollin shqiptar.
Edhe Partizani me Vllazninë nuk mund të nënvlerësohen, ka ende shumë kampionat përpara dhe çdo gjë mund të ndodhë. Dinamo e ka rritur shumë lojën dhe ka fatin që të edhe stolin e ka nga më të mirët në Superiore. Tani na mbetet për detyrë të vlerësojmë çdo ndeshje maksimalisht dhe të rritim akoma më shumë nivelin tonë për të realizuar objektivat e klubit. Dinamo e meriton plotësisht të fitojë të paktën një trofe këtë sezon.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"