EKSKLUZIVE/ Nga “divorci” me të kuqtë te mundësia e rikthimit në Vlorë, rrëfehet Abilaliaj: Partizani ka potencial, me Flamurtarin… (E PLOTË)
Arbër Abilaliaj është një ndër drejtuesit më jetëgjatë te Partizani, me president Gazment Demin. Abilaliaj mbajti pozitën e drejtorit sportiv, nga qershori i vitit 2023 deri në këtë tetor.
“Panorama Sport” e ka kontaktuar 39- vjeçarin, që disa herë duhet të luante edhe rolin e trajnerit. Për skuadrën të cilën e ndërtoi vetë, Abilaliaj qëndron besnik dhe mendon se ka potencial. Po ashtu nuk përjashton mundësinë, që të vazhdojë aventurën në qytetin e tij të lindjes. Pikërisht në Vlorë me Flamurtarin.
Sa iu mungon Partizani?
Shumë. Partizani nuk është një klub që e lë pas me një dorëheqje. Është pjesë e imja. Janë gati tre vite emocione, sakrifica dhe ditë të pafundme pune, ku kam jetuar çdo fitore dhe çdo humbje me zemër. Më mungon energjia e kompleksit, njerëzit që punojnë aty, lojtarët me të cilët ndërtuam një grup të fortë dhe mbi të gjitha atmosfera që vetëm Partizani di të japë. Kam qenë dhe mbetem krenar që e përfaqësova këtë klub me gjithë shpirtin tim.
Dorëheqja juaj pas humbjes në derbi u pa si pasojë e tensionit të muajve të fundit. Ishte rezultati ndaj Tiranës arsyeja kryesore?
Jo. Derbi ishte thjesht pika e fundit e një periudhe shumë të ngarkuar. Largimi im nuk ishte impulsiv, por i menduar me qetësi. Thjesht ndjeva se ishte momenti për të hapur një faqe të re. Si për mua, ashtu edhe për klubin. Në futboll ka momente kur ndien se ke dhënë çdo gjë që ke, dhe ndonjëherë për të ecur përpara duhet të bësh një hap pas. Nuk e shoh si dështim, por si pjesë e një procesi që më ka rritur si profesionist.
Kur u emëruat drejtor sportiv në verën e 2023-ës, Partizani ishte kampion. Cilat ishin objektivat dhe ku mendoni se u prish ekuilibri?
Objektivi ishte i qartë. Të ndërtonim një projekt që garantonte vazhdimësi dhe stabilitet, jo thjesht një sukses të momentit, eksperiencën në kompeticionet europiane dhe kalimin e sa më shumë tureve. Gjithashtu dhe formim e shitje të kontrolluar të futbollistëve që kishim në përbërje. Donim të ruanim identitetin fitues, por edhe të rinovonim skuadrën në mënyrë të zgjuar. Në futboll, balanca mes rezultateve të menjëhershme dhe ndërtimit afatgjatë është delikate. Ndoshta aty u përplasëm me realitetin. Presioni i menjëhershëm nuk të lë gjithmonë hapësirë për projekt.
Kritika pati për shitjet e disa lojtarëve kryesorë. A e dobësuan këto lëvizje skuadrën?
Nuk ka asnjë shitje që bëhet për ta dobësuar klubin. Çdo vendim u mor me logjikë sportive dhe ekonomike. Partizani është klub që duhet të funksionojë si strukturë moderne, ku lojtarët zhvillohen dhe krijojnë vlerë. Nëse nuk shet në momentin e duhur, humbet edhe zhvillimin e tjetrit që pret pas. Kuptohet, çdo dalje lë boshllëk emocional dhe kualitativ sepse është e pamundur që të zëvendësosh një sistem që konsolidohet prej 4-5 vitesh në vazhdimësi. Them për në një periudhë të shkurtër është e pamundur. Vendimi për të shitur lojtarë, kur vijnë oferta në klub, shumë diskutime bëhen me argumente dhe kundër argumente, por në fund vendimi apo fjala finale i takon njerëzve që investojnë. Ata që bëjnë politikën financiare të klubit, pikërisht presidentët.
A ka pasur përplasje brenda klubit për drejtimin e skuadrës apo politikat e merkatos?
Në çdo klub ka debate profesionale, por asnjëherë përplasje personale. Unë gjithmonë kam folur hapur dhe me respekt. Mund të kemi pasur mendime të ndryshme, por gjithmonë në funksion të së mirës së Partizanit. Aty ku ka pasion dhe ambicie, është normale të ketë tension sepse të gjithë duan më të mirën për klubin.
Cila ishte marrëdhënia juaj me trajnerin Milinkoviç dhe të tjerët para tij?
Me çdo trajner kam pasur marrëdhënie profesionale dhe korrekte. Milinkoviç është një njeri serioz, me eksperiencë, dhe kemi punuar me mirëbesim të ndërsjellë. Sigurisht, kemi pasur momente ku mendonim ndryshe për profilin e lojtarëve, por gjithmonë e kemi ruajtur respektin dhe komunikimin. Me disa trajnerë kam bashkëpunuar shumë afër, duke ndarë çdo ditë ide për zhvillimin e skuadrës. Në fund, ajo që mbetet është respekti dhe ndjenja se kemi luftuar bashkë për të njëjtin qëllim.
Si e shikoni skuadrën aktuale dhe situatën në tabelë?
Partizani ka potencial të madh. Nuk ka dyshim për cilësinë e grupit, por kur humbet besimin dhe qetësinë, edhe skuadra më e fortë e ka të vështirë të shprehet. Mendoj se problemi kryesor sot është psikologjik dhe lidhet me presionin. Kjo është një periudhë që kërkon unitet, jo kritika. Kushdo që është aty, duhet ta ndjejë përgjegjësinë për ta ngritur Partizanin aty ku i takon.
Pas largimit, jeni parë shpesh në stadiume. Është pasion apo diçka më shumë?
Futbolli është jeta ime. Nuk mund të qëndroj larg tij. Unë jam çdo javë në stadium sepse më pëlqen të shoh, të analizoj dhe të mësoj. Nuk kam plane të menjëhershme për t’u rikthyer, por po përgatitem për hapin tjetër me shumë qetësi. Jam njeri që nuk e njeh pushimin. E shfrytëzoj çdo ditë për të mësuar dhe reflektuar.
Emri juaj u përfol te Flamurtari. Ka pasur diçka konkrete?
Jo, nuk ka asgjë konkrete. Flamurtari është klub i madh me histori te madhe dhe vendi ku unë kam hedhur hapat e parë në këtë profesion, por në këtë moment nuk ka pasur bisedime zyrtare. Është e natyrshme që emri të përmendet, sepse kam qenë aktiv dhe i përfshirë në tregun e futbollit shqiptar, por çdo gjë në kohën e vet. Nuk kam asnjë nxitim.
Pas 11 javësh kampionat, kë shikoni si pretendent për titullin?
Kampionati është shumë i ekuilibruar. Egnatia është e konsoliduar dhe me identitet të qartë, ndërsa Dinamo dhe Vllaznia kanë cilësi. Partizani ka potencialin të ngjitet, por i duhet një periudhë stabiliteti. Në fund besoj se do jetë një garë interesante, ku përvoja dhe qetësia do bëjnë diferencën. Final Four është një ekpseriencë më vete për skuadrat dhe komplet tjetër gjë nga ndeshjet e kampionatit. Në këtë prizëm, Egnatia ka pak më shumë avantazhe.
Si është marrëdhënia juaj sot me tifozët e kuq?
E veçantë dhe e sinqertë. Unë e di se tifozët e Partizanit janë kërkues dhe pasionantë. Kam ndierë dashuri, por edhe kritika dhe kjo është normale. Kam ecur me kokën lart sepse çdo vendim që kam marrë, e kam marrë për të mirën e klubit. Sot i shikoj me respekt dhe mirënjohje. E di që në fund, ajo dashuri që kemi ndarë për Partizanin është më e fortë se çdo debat.
Cilat janë planet tuaja profesionale?
Do marr kohë për të analizuar rrugën time dhe për t’u përgatitur për një sfidë të re. Për momentin jam kthyer në punën time të mëparshme. Agjent në një nga agjencitë më prestigjioze ne rajon. Kam mësuar shumë këto tre vite, kam kaluar ditë të vështira, por edhe momente krenarie të mëdha. Dua që hapi i radhës të jetë i menduar, në një projekt ku ndjej vizion dhe respekt. Partizani më ka dhënë shumë dashuri, përgjegjësi dhe rritje. Për këtë do jem gjithmonë mirënjohës.
Diçka të fundit për ta mbyllur…
Nuk largohem me zhgënjim, por me ndjenjën e mirënjohjes dhe krenarisë. Partizani është shtëpia ime, dhe çdo herë që do kem mundësi, do e mbroj me dinjitet.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













