EKSKLUZIVE/ “Kthesa nis me Bylisin”, Memushi-Morieros: Formacioni fitues nuk ndryshohet, Flamurtari të zgjohet tani
Eqerem Memushi është i bindur se Flamurtari do ta kalojë situatën e vështirë ku gjendet, por thekson se ekipi duhet të jetë luftëtar në çdo ndeshje.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat analizon dy ndeshjet që kuqezinjtë luajtën me Vllazninë dhe Elbasanin, si dhe pragndeshjen me Bylisin. Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar mes të tjerëve edhe vlonjatët dhe ballshiotët dhe është një njohës i mirë i kampionatit. Memushi mendon se në pësimin e golit në takimin me Elbasanin gaboi e gjithë mbrojtja. Ai ka edhe një mesazh për trajnerin Françesko Moriero, të cilit i thotë se formacioni fitues nuk ndryshohet. Përballjen me Bylisin e sheh tejet të vështirë, duke e cilësuar kundërshtarin si një ekip agresiv.
Memushi, fitorja me shkodranët ishte një fitore shpresëdhënëse për vazhdimësinë, por skuadra u rikthye te humbja me Elbasanin. Si i shikoni të dyja këto ndeshje?
Dua ta filloj në radhë të parë me një falënderim që i përket të gjithë sportdashësve vlonjatë, të cilët pavarësisht ecurisë së skuadrës, mundohen ta përkrahin dhe ta mbushin stadiumin. Duke bërë analizën e të dyja ndeshjeve, mendoj se me takimin e kësaj jave që kemi humbur ndaj Elbasanit, u zbeh edhe fitorja ndaj Vllaznisë. Ishte momenti që të krijonim vazhdimësi në skuadër dhe një opinion pozitiv se takimet e radhës do të ishin në favor të Flamurtarit. Dua të theksoj se skuadra fituese nuk ndryshohet. Duke analizuar mënyrën si i kemi zhvilluar ndeshjet me Vllazninë dhe me Elbasanin, mendoj se në takimin e fundit skuadra, duke ardhur nga një fitore dhe me besim të lartë, hyri me “eufori” për ta fituar ndeshjen dhe u shpreh më mirë në fazën sulmuese. Megjithatë, kjo eufori ndoshta ndikoi që të mungonte përqendrimi në mbrojtje dhe agresiviteti që patëm ndaj Vllaznisë.
Kush e ka përgjegjësinë për golin e pësuar me Elbasanin?
Ekipi u godit nga një goditje standarde dhe nuk i falet mënyra se si e pësuan atë gol. Për mua, përgjegjës është i gjithë reparti i mbrojtjes.
Kishte shumë diferenca mes Flamurtarit të vendit të fundit dhe Vllaznisë apo Elbasanit që janë në krye?
Ndryshimin e bëjnë pikët në klasifikim. Por, nëse i shikon për nga kualitetet në fushë, nuk ka ndonjë diferencë të madhe as me Vllazninë e as me Elbasanin. Asnjëra nuk tregoi se ishte shumë më superiore se Flamurtari.
Çfarë mendoni se ndryshoi trajneri Moriero në ndeshjet me Vllazninë dhe Elbasanin?
Me Vllazninë ndryshoi pozicionin e Markut, i cili aty ku u vendos zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. E favorizon shumë mënyra si e hedh topin dhe luan me inteligjencë. Mendova se edhe me Elbasanin do të ishte njësoj. Formacioni fitues nuk ndryshohet dhe kjo është logjike. Me Elbasanin, Flamurtari duhej të ishte një skuadër agresive, 120% më shumë se me Vllazninë. Mungoi pikërisht ai agresivitet që patën me shkodranët.
Nesër (sot) presin Bylisin. Si e vlerësoni këtë përballje?
Ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të vështira. Bylisi vjen me një moral tjetër, pas dy fitoresh radhazi. Ata fituan edhe me Vorën me 9 lojtarë në fushë. Është një skuadër agresive, që luan shumë vertikalisht dhe i vjen shpejt sulmit. Janë shumë të rrezikshëm, duhet kujdes maksimal.
Nëse e fitojnë këtë ndeshje, mendoni se Flamurtari futet në rrugën e duhur?
Ndeshjet po vështirësohen, por po, një fitore do ta ndryshonte atmosferën. Më pas na pret Tirana në shtëpi, ndeshje që duhet ta fitojmë patjetër. Pikët janë aty, situata mund të ndryshojë menjëherë. Një rrëshqitje e kundërshtarëve dhe jemi sërish në garë, pasi shkohet në kuotën e 11-12 pikëve.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













