EKSKLUZIVE/ Kreu i Beshiktashit në Vlorë, Idrizi: Mos e shit Muçin, e dua që të luajë në çdo ndeshje
Presidenti i klubit të mirënjohur turk Beshiktash zbarkon në Vlorë. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht lajmin e bujshëm. Ai shoqërohej edhe nga dy përfaqësues të tjerë të klubit turk.
Burime konfidenciale i thanë gazetës se qëllimi i vizitës së tyre në Vlorë janë disa projekte të rëndësishme që pritet të zhvillohen në qytetin bregdetar në sport dhe jo vetëm si dhe një projekt i përbashkët me Flamurtarin e Vlorës si në aspektin sportiv ashtu edhe infrastrukturor. Zyrtarët e lartë turq kanë zhvilluar një takim kokë më kokë për disa orë me administratorin e Flamurtarit Sinan Idrizi. Drejtuesit e Beshiktashit nuk kanë zhvilluar një vizitë në ambientet e klubit duke qenë se ai është në rikonstruksion por kanë drekuar me Idrizin në një nga restorantet buzë detit në Lungomare. Menuja që ata kanë konsumuar, ka qenë e gjitha me prodhime deti. Sinan Idrizi i ka shoqëruar mysafirët edhe në një shëtitje në këmbë në shëtitoren bregdetare, por edhe në një udhëtim me jaht në gjirin e Vlorës.
DISKUTIMET- Vizita e presidentit të Beshiktashit në Vlorë dhe ortakëve të tij ishte private, pa ndonjë axhendë paraprake, por kanë qenë të shumta temat e diskutimit në drekën me Sinan Idrizin. Ata janë interesuar që të mësojnë më shumë rreth projektit “Vlora Sport”, por edhe mënyrës se si funksionon futbolli në Shqipëri. Ata kanë vendosur theksin te domosdoshmëria e ligjit të sportit për ta parë futbollin si një aset për të prodhuar ekonomi. Drejtuesit e Beshiktashit i kanë ofruar asistencë Idrizit në ndërtimin e projektit “Vlora Sport”, por edhe në modernizimin e strukturës së klubit. Turqit kanë shfaqur gatishmërinë të japin kontributin e tyre për skuadrën e parë por edhe për akademinë, fillimisht me aktivitete për shkëmbim eksperience. Ata kanë përgëzuar Idrizin për rikthimin e Flamurtarit në Superligë.
BATUTAT – Në takimin mes drejtuesve të Beshiktashit dhe Sinan Idrizit nuk kanë munguar batutat. Burime konfidenciale pranë drekës i thanë “Panorama Sport” se Idrizi ka ngacmuar drejtuesit e klubit turk për talentin shqiptar Ernest Muçi. Administratori i Flamurtarit u ka thënë se është tifoz i lojtarit të Kombëtares shqiptare dhe se ata nuk duhet ta lënë të ikë nga Beshiktashi, por t’i japin mundësinë të luajë në çdo ndeshje. “Unë jam tifoz i Ernest Muçit. Nëse më pyesni mua, nuk duhet ta lini të ikë. Unë, si tifoz i tij, e dua që të luajë në çdo ndeshje”, mësohet se është shprehur Idrizi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













