EKSKLUZIVE/ “Klubi dështoi në janar”, Daiu: Këtij Partizani do t’i hiqja shtatë titullarë, duhen ndryshime urgjente (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2025 | 23:27

EKSKLUZIVE/ “Klubi dështoi në janar”, Daiu: Këtij Partizani do t’i hiqja shtatë titullarë, duhen ndryshime urgjente (E PLOTË)

Tashmë që është mbyllur sezoni, te Partizani kanë rënë në një qetësi, e cila pritet të marrë fund javën që vjen. Të kuqtë e mbyllën këtë sezon pa asnjë trofe dhe e vetmja arritje ishte kualifikimi në kompeticionet europiane.perparim daiuNë një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i të kuqve, Përparim Daiu, analizon atë çka Partizani bëri në sezonin që u mbyll. Sipas tij, kualifikimi në Europë ishte si një ngushëllim, por shton se merkatoja e janarit u bë në mënyrë të gabuar. Sipas tij, skuadra ka nevojë urgjente për ndryshime.

Përparim, a dështoi Partizani i këtij sezoni?

Janë disa aspekte dhe del në disa përfundime. Mund të themi se 100% nuk dështoi, sepse u kualifikua në Ligën e Konferencës. Për mua, dështim ishte fakti se doli pa trofe, pastaj në tërësi janë shumë hallka që bëjnë edhe vlerësimin. Partizani në aspektin monetar ka dalë i fituar. Ky ekip largoi katër titullarë në janar dhe në dy fazat e fundit humbi bukurinë dhe termin si ekip pretendent.

E përgjithshmja është se Partizani nuk mungon në Kupat e Europës dhe prezantimi do të jetë i rëndësishëm. Nëse as në Europë nuk do të ketë sukses, aty do të konsiderohej si një dështim për Partizanin. Sa u përket ndeshjeve europiane, jo vetëm të kuqtë, por të gjithë duhet të ndërrojnë mentalitetin. Ekipet shqiptare duhet të luajnë me dinjitet në Europë, jo vetëm si numër për të marrë ato para të raundeve të para, por duke kaluar ture një nga një. Në këtë mënyrë rritet prestigji i klubeve, por edhe ana monetare. Pas kësaj do ta vlerësoja Partizanin nëse do të jetë i suksesshëm apo jo.

Pas largimeve të janarit, kishte edhe disa afrime, por asnjëri prej tyre nuk arriti pritshmëritë. Përse nuk e rritën nivelin të kuqtë?

Pikësëpari, unë te Partizani shoh që jo vetëm si ekip, por edhe si klub nuk funksionoi mirë, sepse ka dështuar plotësisht për të zëvendësuar lojtarët e larguar. Nuk e di nëse drejtori sportiv e ka pasur apo jo aksesin e plotë për të bërë zgjedhjet e tij, por këtu mendoj se Partizani gaboi në afrimin e lojtarëve. Nuk bëj dot asnjë përjashtim  për ndonjë që ka spikatur nga afrimet e janarit.

Mendoni se Partizani është i detyruar të bëjë afrime dhe largime gjatë kësaj vere?

Patjetër që duhen largime, sepse aty ka lojtarë q ë nuk i shkojnë përshtat emrit të Partizanit. Kishte një mesfushë të admirueshme me emra si Rrapaj apo Maget, që u larguan dhe tashmë ekipi duhet të riformatohet.

Në mbrojtje mungon një lider në qendër. Kemi parë emra si Preka apo Bytyçi, që janë lojtarë me të ardhme, por duhet një lider më potent, që bën diferencën me të tjerët dhe udhëheq ekipin. Partizanin e shoh në emergjencë totale për të riformatuar mesfushën, që në dy fazat e fundit ka qenë gati inekzistente.

Pa dyshim nuk duhet harruar sulmi, i cili është ai që tërheq ekipin dhe jep rezultatin. Përveç Kekos, të cilin e shoh si një lojtar me vlerë, Partizani duhet të bëjë afrime të tjera të goditura. Duhet të jetë një ekip me bosht dhe me efikasitet.

Nëse do ta kishit ju në dorë, sa lojtarë do t’i hiqnit 11-shes së Partizanit?

Nga 11-shja e këtij Partizani, në mënyrë të padiskutueshme, unë do të hiqja të paktën 7 lojtarë. Personalisht, vetëm për Koten kam simpati dhe mendoj se meriton ta veshë fanellën e Partizanit, ndërsa tre të tjerëve nuk po ua nxjerr emrat, por duhet të ndryshojë skuadra. Duhen me patjetër lëvizje.

Besoni se Gega e ka mundësinë të bërë kaq shumë lëvizje dhe ta rikthejë Partizanin konkurrues edhe pas kaq shumë ndryshimesh?

Gega ka qenë mbrojtës dhe e ka parë gjithnjë lojën nga mbrapa, ka qenë udhëheqës dhe strateg si lojtar, teksa edhe si trajner ka treguar se di të menaxhojë. Besoj se ai i ka aftësitë dhe mundësitë, sepse është edhe me karakter. Gega është “gjak” i Partizanit, ka dhënë për klubin dhe mendoj se është i duhuri për të bërë ndryshimin dhe për të vënë pikat mbi “i”.

Sa konkurrues e shihni kampionatin tashmë që klube si Dinamo, Egnatia dhe jo vetëm, po investojnë? Dhe ju duket më e vështirë për Partizanin?

Po bëhet e vështirë, por Partizani duhet të investojë për emrin dhe tifozët që ka. Unë te klubet me investime dua të përmend edhe Flamurtarin, që ka traditë, por edhe një president që shpenzon para, pavarësisht se nuk ka shkëlqyer në Kategorinë e Parë. Por, mendoj se do të jetë pretendent deri në fund, siç ishte edhe Elbasani në këtë sezon. Janë shtuar ekipet e forta, Tirana ngelet e fortë gjithashtu. Është ekip elitar dhe do të jetë gjithnjë te pretendentët. Prandaj bëhen gjashtë apo shtatë ekipe që do të luftojnë për katërshen. Që të forcohet skuadra, është shumë e rëndësishme që të bëhen lëvizjet e duhura në merkato.

A e meritoi Egnatia titullin? Ishte skuadra më e mirë e Superiores?

Pa diskutim që ishte skuadra më e mirë, por për mua edhe Dinamo bëri paraqitje shumë të mirë. Partizani mbeti “kockë e fortë” edhe me dobësitë që kishte, ndërsa për Vllazninë, nuk e prisja shpërbërjen në finale me 4 gola. Egnatia nuk “vodhi” asgjë, ishte ekipi më i mirë dhe e meritonte kampionatin.

Egnatia fiton dy herë titullin dhe korr sukses në pak vite. Përse nuk e bëjnë dot këtë ekipet e mëdha si Tirana, Partizani a Vllaznia?

Egnatia është treguar shumë inteligjente në blerjet e lojtarëve. Fillimin e ka pasur të vështirë. Me sa mbaj mend, sepse kam qenë edhe drejtues për pak kohë aty, bazoheshin te një menaxher i caktuar. Atëherë, madje, Demrozit i kam thënë se me buxhetin që ka, mund të lidhet me më shumë menaxherë dhe të ketë mundësi zgjedhjeje. Por, mund të themi se ka qëlluar, Demrozi rezulton jo vetëm një president, por edhe një menaxhues i mirë. Ka qëlluar në shenjë deri më tani. Ka gjetur lojtarët e duhur dhe për kampionatin shqiptar ata kanë qenë më të mirët.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL