EKSKLUZIVE/ Kërnaja tregon “muskujt” dhe thumbon Milinkoviçin: Te Partizani drejtoj unë
Oltijon Kërnaja ka hyrë në histori dje në klubin e Partizanit. Pa u mbushur 24 orë nga fitorja me ekipin A të të kuqve ndaj Flamurtarit në Superiore, ai si trajner ka shënuar fitore edhe me ekipin B në Kategorinë e Dytë përballë Devollit.

Një sukses që Kërnaja e ka cilësuar si të rëndësishëm duke falënderuar klubin për besimin. Por njëkohësisht, ai konfirmoi ekskluzivisht për “Panorama Sport” se tashmë po kërkohej një trajner për ekipin B, pasi ai do të fokusohej vetëm tek ekipi A i të kuqve.
Po ashtu në fund u mbyll me një thumbim për paraardhësin Mladen Milinkoviç, duke thënë se lojtarët kryesorë nuk u trajtuan si duhet. Te klubi i kuq po vërehet tashmë një tendencë për t’u shprehur kundër trajnerit të mëparshëm. Para Kërnajës, ishte sulmuesi Isgandarli që u shpreh kundër deklaratave të Milinkoviç. Ky i fundit kishte besim për të ardhmen, megjithatë mendonte se Partizani në shtator nuk kishte lider. Kjo referuar edhe rezultatit negativ që regjistrohej në Ballsh ndaj Bylisit.
Drejtimi i dy ekipeve në të njëjtën kohë, çfarë do të thotë kjo?
“Kjo do të thotë shumë për mua në të gjitha aspektet. Moral, fizik, të karrierës time, vlerësim shumë i madh nga klubi, po mundohem të bëj maksimumin me të dy ekipet sigurisht.”
A diskutohet te klubi për trajner tjetër te Partizani?
“Te Partizani A jam unë, te Partizani B diskutohet për ndonjë trajner tjetër. Të shohim në vazhdim.”
Partizani nuk shkrepi me Milinkoviç, por më pas ia doli…
“Ndoshta thjesht grupi nuk ishte siç duhet, lojtarët kryesorë nuk u trajtuan siç duhet dhe kjo ishte ajo që duhej të ndryshonim”, tha Kërnaja pas ndeshjes me Partizanin B.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMASPORT
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













