EKSKLUZIVE/ “Kërnaja është trajner pasionant, por të jetë më i qetë”, Daiu: Partizani ka bosht, po bie cilësia e kampionatit
Përparim Daiu, ish-futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, por edhe Partizanit në vitet 2000-2002, në një intervistë për “Panorama Sport”, theksoi se të kuqtë tashmë kanë formuar një bosht nga porta në sulm duke bërë që arma e tyre më e fortë të jetë grupi.
Daiu shtoi se derbi i fituar ndaj Tiranës ishte plotësisht i merituar nga të kuqtë pasi këta të fundit ishin më të qartë dhe të vendosur, sidomos në fragmentin e parë të ndeshjes, kur edhe fusha nuk ishte rënduar nga shiu i dendur që përfshiu kryeqytetin. Ndër të tjera, ishmbrojtësi kavajas vlerësoi drejtorin e Partizanit, Agim Ibraimin për elementët e afruar në merkaton e janarit ndërsa nuk mungoi edhe një koment pozitiv për trajnerin e të kuqve Oltijon Kërnaja. Në fund, Daiu pati një koment edhe për Besën, për të cilën tha se në mënyrë që të synojnë rikthimin pas shumë kohësh në Superiore, duhet të kenë gati akademinë, fushat stërvitore dhe stadiumin.
Si e vlerësoni paraqitjen e Partizanit në derbin ndaj Tiranës, cila ishte arma më e fortë e të kuqve në atë ndeshje?
Partizani në derbi bëri një paraqitje dinjitoze, duke qenë i qartë në kërkimin e rezultatit, duke e menaxhuar ndeshjen mjaft mirë, ku në pjesën e parë ishte dominues dhe i vendosur, duke shënuar dy gola dhe duke pasur ekuilibër ndërmjet reparteve. Në pjesën e dytë e menaxhoi shumë mirë avantazhin, sepse duhet të theksojmë që edhe fusha u rëndua nga reshjet. Partizani mori me plot meritë fitoren, kjo falë angazhimit maksimal të futbollistëve, por edhe duke qenë më lart se kundërshtari taktikisht. Arma më e fortë te Partizani mendoj se është grupi dhe harmonia si ekip.
Sa mendoni se do të ndikojë ajo fitore ndaj Tiranës për vazhdimësinë e sezonit te Partizani?
Për sa i përket vazhdimësisë, Partizani ka marrë një impuls pozitiv në rezultate jo vetëm në derbin me Tiranën, por edhe në Kupë me Elbasanin, por më e rëndësishme është që duhet me patjetër vazhdimësia me rezultate për të arritur si në “Final Four”. Nga ana tjetër, në Kupë duhet cinizëm e pragmatizëm nga vetë specifika që ka Kupa me eliminim direkt.
Cila është pika më e fortë e Partizanit?
Unë e preka edhe pak më lart që Partizani ka një grup lojtarësh të mirë dhe ka formuar një bosht nga porta, mbrojtja, mesfusha dhe sulmi, tek i cili them që është pika më e fortë, por dua të theksoj që ka edhe përmirësim në aspektin difensiv, ku në dy fazat e para ka çaluar.
Si ju duket skuadra nën menaxhimin e trajnerit Oltijon Kërnaja?
Trajneri Kërnaja, si çdo trajner i ri ka energjinë, plus është mjaft pasionant. Mendoj nga jashtë që ka menaxhuar mirë edhe grupin, që është mjaft thelbësor në ecurinë dhe rezultatet. Një këshillë miqësore duhet të jap për Kërnajën, të jetë më i qetë në intervistat në raport me kundërshtarin, të merret me ekipin e tij, sepse edhe eksperienca në drejtim do ta bëjë që të jetë më i matur. Trajneri matet me rezultate dhe deri tani ka bërë shumë mirë.
Si ju duken goditjet e drejtorit të ri sportiv te Partizani, Agim Ibraimi në këtë merkato të janarit?
Realisht dhe sinqerisht duhet me thënë që merkatoja e janarit është mjaft delikate, sepse alternativat janë më të pakta në përzgjedhjen e lojtarëve që i nevojiten ekipit, por zgjedhjet e Ibraimit në afrimet e janarit kanë qenë të zgjuara.
Si e vlerësoni këtë kampionat në përgjithësi, çfarë mendoni për nivelin e Superiores?
Duke e parë në aspektin e luftës ndërmjet ekipeve për “Final Four” apo për vendin e parë, e shoh mjaft konkurrues. Për sa i përket cilësisë, besoj që është në rënie.
Kë shikoni si skuadrën më të favorizuar për t’u shpallur kampione?
Megjithëse ka ndryshuar pak si formulë nga vitet e tjera, nuk besoj që vendi i parë do të ketë shkëputje të konsiderueshme pikësh me tre vendet e tjera. Natyrisht, nuk mund të veçoj një ekip të veçantë, por mendoj që të katërta ekipet në “Final Four” kanë shanse të shpallen kampion dhe do të luftojnë deri në fund për titull.
Në fund edhe një pyetje për Besën, skuadrën e qytetit tuaj…
Ky sezon ka qenë mes shumë luhatjeve për kavajasit, a mendoni se do të kenë shansin që të luftojnë për t’u rikthyer në elitë pas shumë vitesh? Besa ka vite në Kategorinë e Parë dhe sa herë që fillon kampionati hyn si pretendente për në Superiore, por vetëm vjet ishte shumë afër dhe aty ishin disa faktorë që nuk e mundësuan ngjitjen. Mendoj që Besa dhe Kavaja kanë kapacitete drejtuese me nxjerrë dhe promovuar futbollistë, siç është rasti më i freskët i 16-vjeçarit të talentuar Haxhi Rrena. Jo më kot e preka, sepse Besës që të ketë sukses i duhet një akademi, dy fusha ndihmëse për stërvitje dhe atë që e pret gjithë populli i Kavajës, stadiumin, që edhe objektivi për Superiore në shtëpinë e saj është domethënës dhe sinjifikativ për futbollin e sotëm.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













