EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi i Flamurtarit, Shkurtaj në rrëfimin e fundit: Peng, sezoni i parë (E PLOTË)
Vasil Shkurtaj e përmbushi më së miri misionin te Flamurtari. Për dy sezone rresht që qëndroi në Vlorë, dha kontributin e tij për rikthimin në elitë dhe tashmë largohet andej nga erdhi.
33 vjeçari që ka një eksperiencë të madhe në futboll brenda dhe jashtë Shqipërisë, e kishte për herë të parë që luante në Vlorë, në qytetin e tij. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Shkurtaj rrëfehet për gjithçka.
Momentin më të bukur vlerëson rikthimin në elitë. Periudha më e vështirë ishte ajo e dëmtimeve dhe sezoni i parë që nuk arritën të ngjisnin Flamurtarin. Ndalet edhe tek aventura e re e tij me AEZ Zakakiu në Qipro, ku ka firmosur një kontratë 1 vjeçare.
Shkurtaj, cili ka qenë momenti më i bukur te Flamurtari?
Momenti më i bukur pa dyshim ishte ngjitja në Superiore. Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm ia dolëm ta rikthenim klubin aty ku e meriton. Ishte një ndjenjë krenarie për të gjithë ne që ishim pjesë e këtij rrugëtimi.
Cili ka qenë momenti juaj më i vështirë në Vlorë?
Pjesa më e vështirë për mua ishin dëmtimet dhe sezoni i parë kur nuk arritëm dot ta ngjisnim ekipin, edhe pse ishim shumë pranë. Ai ishte momenti që e përjetova keq.
Jeni i kënaqur nga aventura te Flamurtari?
Jam shumë i kënaqur. Kam kaluar një vit e gjysmë me emocione, punë përkushtim dhe shumë momente që do t’i mbaj gjithmonë me vete. Flamurtari është një klub me histori dhe ndjesi të veçanta.
Si mendoni se do të paraqitet ekipi në Superiore?
Klubi po ecën me hapa të vegjël, por të sigurt dhe po ndërtohet diçka shumë interesante. Ka stabilitet organizim dhe ambicie. Ka gjithçka që i duhet për të bërë gjëra të mëdha dhe mbi të gjitha një president që nuk e fsheh dëshirën për të investuar seriozisht. Në këtë klub nuk është pengesë pjesa financiare. Potenciali është i madh.
E keni zgjedhur tashmë se ku do ta vijoni karrierën? Na flisni pak…
Karrierën time do ta vazhdoj në Qipro. Kam qenë në bisedime me disa ekipe, por tashmë e kam zgjedhur ekipin tim të ri. Kam firmosur te AEZ Zakakiu në kontratë 1-vjeçare. Patjetër që edhe këtu do të japë maksimumin tim
PANORAMASPORT.AL













