EKSKLUZIVE/ Ish-shefi i klubit, Sqapi: Elbasani, i ndërtuar për të qenë në krye! Ju tregoj çelësin e suksesit te verdheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2026 | 10:19

EKSKLUZIVE/ Ish-shefi i klubit, Sqapi: Elbasani, i ndërtuar për të qenë në krye! Ju tregoj çelësin e suksesit te verdheblutë

Aktualisht i angazhuar në Stokholm si trajner në divizionin e dytë suedez dhe njëkohësisht pjesë e bordit drejtues të një klubi në “Superettan”, Erion Sqapi vijon të jetë një zë i vëmendshëm i futbollit shqiptar.

sqapi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish- shefi i klubit të Elbasanit ndalet te momenti aktual i skuadrës verdheblu, duke analizuar rrugëtimin e saj këtë sezon, faktorët që e kanë çuar në krye dhe sfidat që e presin në javët vendimtare. Sqapi flet për forcën e grupit, disiplinën taktike dhe rolin e rëndësishëm të drejtuesve e tifozërisë, ndërsa jep edhe një këndvështrim realist për garën me Vllaznia dhe pritshmëritë për “Final 4”, duke theksuar se në këtë fazë diferencën e bëjnë detajet dhe gjendja psikologjike.

Sqapi, e prisje një Elbasan në këto nivele këtë sezon?

Po, sepse që në fillim u pa që skuadra kishte organizim dhe ide të qartë loje. Ndoshta jo kaq shpejt në krye, por ishte e dukshme që do të ishte një ekip konkurrues.

Cili ka qenë çelësi i suksesit të skuadrës?

Disiplina taktike dhe forca e grupit. Elbasani ka qenë një ekip i organizuar, i duruar dhe që ka ditur të godasë në momentet e duhura. Ka funksionuar si skuadër, jo si individë. Po aq e rëndësishme ka qenë edhe mbështetja e drejtuesve, si e dukshme ashtu edhe ajo që nuk shihet, por që ka peshë të madhe në stabilitetin e klubit. Dhe sigurisht, tifozeria, ndër më të mirat në Shqipëri, që ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për ekipin.

Dy javë nga fundi i kampionatit, a mendoni se do e ruajë Elbasani diferencën e dy pikëve mbi Vllazninë?

Do të jetë shumë e vështirë, sepse ndeshjet e fundit janë gjithmonë të forta dhe plot presion. Por nëse ruan qetësinë dhe mënyrën e lojës, Elbasani ka mundësi reale ta mbajë vendin e parë, që do t’i japë edhe një avantazh të lehtë në përballjet e “Final 4” ndaj Vllaznisë.

Si e pret “Final 4”?

Nëse do vendoset mes Elbasanit dhe Vllaznisë, atëherë do të jetë një përballje shumë e fortë dhe e hapur. Në këtë fazë nuk vendos vetëm cilësia, por momenti dhe gjendja psikologjike. Detajet do të bëjnë diferencën. Tifozëve u them të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë mbështetjen, sepse në këtë fazë skuadra ka më shumë nevojë se kurrë për ta dhe bashkë mund të arrihet objektivi. Megjithatë, edhe nëse nuk arrihet titulli këtë sezon, duhet kuptuar që pjesëmarrja në Europë është një arritje e madhe, jo thjesht për aspektin financiar, por mbi të gjitha për prestigjin, përvojën dhe rritjen e klubit në nivele më të larta.

Një mendim për javën e fundit, me ekipet e mbijetesës që fitojnë ndaj atyre të kreut?

Është krejt normale. Ekipet e mbijetesës luajnë me maksimumin sepse nuk kanë çfarë të humbasin, ndërsa ekipet e kreut ndonjëherë ndikohen nga presioni ose nga situata në tabelë. Kjo tregon që kampionati është i fortë dhe i hapur deri në fund.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL